Esin Hakaj është një prej lojtarëve më të rëndësishëm në formacionin e Vllaznisë. Paraqitja e tij e shkëlqyer bëri që të grumbullohet me Kombëtaren në miqësoret ndaj Arabisë Saudite dhe Katarit.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë foli për debutimin me fanellën kuqezi dhe sigurisht Vllazninë. Sipas tij, skuadra shkodrane do të luftojë deri në fund për titullin kampion, teksa sheh si rivalët më kryesorë, Partizanin dhe Tiranën. Hakaj shpreson që më 7 dhjetor të fitojnë finalen e Superkupës ndaj bardhebluve.

Esin, ta nisim me Kombëtaren, ku ishit i grumbulluar për miqësoret ndaj Arabisë dhe Katarit. Cila ishte ndjesia për debutimin me fanellën kuqezi?

Të veshësh fanellën e Kombëtares është një sadisfaksion i madh për çdo lojtar. Normalisht edhe për mua ishte një gjë shumë e bukur. Jam ndier shumë mirë, për më tepër që në ndeshjen me Katarin e nisa si titullar. Jam i lumtur që edhe stafi teknik ka mbetur i kënaqur nga ajo që kam dhënë në këto ndeshje.

Çfarë ju tha trajneri Reja?

Nuk më tha diçka në veçanti, por pati nga ai një falënderim në grup.

Më pas mungoi një thirrje për ju në miqësoret ndaj Italisë dhe Armenisë. U zhgënjyet?

Dëshira e çdo lojtari është që të vazhdojë rrugëtimin e nisur me Kombëtaren, por kjo nuk varet nga unë. Nga unë varet që të bëj më të mirën me Vllazninë dhe të bind sërish stafin teknik të Kombëtares që të jem pjesë e saj.

Kampionati është ndalur dhe mendja tashmë është te Vllaznia…?

Normalisht aty kemi pjesën më të madhe të punës sonë. Këtu duhet që të japim dhe të marrim maksimumin. Vllaznia është puna e përditshme dhe ky pushim mendoj se ishte i nevojshëm për sa i përket një rigjenerimi, pasi kemi që prej qershorit që stërvitemi çdo ditë. Megjithatë, për mua dhe lojtarë të tjerë nuk ka qenë një pushim total. Kemi bërë stërvitje individuale dhe palestër, por jo me ngarkesën e plotë.

Pas 12 javësh kampionat jeni në vendin e katërt, mund të kishit bërë më tepër?

Nuk mund të them se jam i kënaqur. Më vjen keq, sepse kemi lënë pikë që kurrsesi nuk duheshin lënë. Në të njëjtën kohë, kemi marrë pikë të rëndësishme jashtë fushës sonë. Gjithsesi, mendoj se kemi shumë për të bërë.

Ndaj Tiranës kishit një shans për t’i kapur në renditje nëse fitonit, por vetëm barazuat. Ishte i drejtë ky rezultat?

Ishte një ndeshje e vlerësuar maksimalisht nga ana jonë. Vllaznia-Tirana është pa diskutim një nga ndeshjet më interesante dhe mbi të gjitha nga më të bukurat e kampionatit. Ishte një përballje mjaft e fortë, ku kishim shumë raste dhe më vjen shumë keq që nuk dolëm me 3 pikë. Normalisht që edhe Tirana kishte rastet e veta, por besoj se ato më të pastra i kishim ne. Duhet që të kishim shënuar të paktën një gol, por në tërësi rezultati ishte i drejtë. Mendoj se duhet që të shikojmë përpara dhe të mos qajmë atë që ndodhi.

I keni marrë katër pikë në dy ndeshje ekipit kryesues. Ju ngroh ky fakt për të qenë pretendentë deri në fund?

Sigurisht që Vllaznia i ka forcat për të dhënë më shumë dhe ne e kemi hedhur kandidaturën për titull. Nuk duhet harruar se kemi pasur shumë dëmtime dhe kurrë nuk kemi qenë të plotë. Edhe vetë kam munguar në disa ndeshje. Kjo ka pasur jo pak ndikim, por unë besoj se pas pushimit lojtarët do të jenë gati dhe ekipi do të jetë më i fortë.

Përveç Partizanit dhe Tiranës që janë në krye, shikoni ndonjë ekip tjetër në garën për titull?

Të dyja janë skuadra të forta, me lojtarë që kanë cilësi dhe ambicie. Pa i ardhur keq ndonjë skuadre tjetër, momentalisht këto shikoj si rivalet kryesore për titull, të paktën me atë që kanë dhënë edhe skuadrat e tjera deri më tani.

Më 7 dhjetor luani finalen e Superkupës, si e prisni këtë takim?

Kemi kohë që të përgatitemi. Dëshira ime është fitorja e Superkupës, sepse më mungon ky trofe. Megjithatë, e di mirë që na pret një Tiranë që do të kërkojë maksimumin. E shikoj një ndeshje shumë të luftuar dhe shpresoj që të fitojmë trofeun e parë të sezonit.