Peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj vazhdon të shkëlqejë në pedanë. Vitet kalojnë megjithatë ai vazhdon të jetë emblema e këtij sporti në vendin tonë. Ditën e sotme janë zhvilluar garat e kampionatit kombëtar dhe Qerimaj jo vetëm që është shpallur kampion i Shqipërisë, por ka thyer edhe 6 rekorde kombëtare.
Kampioni ynë ka konkurruar këtë herë në peshën -88 kg ku ka shkëlqyer teksa i ka realizuar të gjashtë provat dhe secila prej tyre ka qenë një rekord me vete.
Në stilin e shkëputjes ka arritur të ngrejë 149 kg, që ishte rekord dhe ka vazhduar me 151 dhe 153 kg, prova të realizuara me sukses dhe po ashtu rekorde të reja kombëtare.
Ndërkohë në shtytje e ka nisur me provën e parë ku ka ngritur me sukses shtangën me peshën 170 kg, që ishte rekord kombëtar dhe më pas 176 kg çka përbente rekord kombëtar në dygarësh dhe në provën e tretë 181 kg rekord kombëtar në shtytje dhe dygarësh.
Një paraqitje fantastike me 6 rekorde kombëtare dhe mbi të gjitha me të gjitha provat e realizuara me sukses, 3 në shkëputje dhe 3 në shtytje. Një formë e tillë e shkëlqyer e peshëngritësit shkodran është një test shumë serioz për të pikërisht në prag të Kampionatit Europian që do të zhvllohet në muajin prill në Batumi të Gjeorgjisë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


