Në ndeshjen e djeshme ndaj Flamurtarit për kupë që u mbyll me fitoren 4-0 të Vllaznisë, Esat Mala jo vetëm që është rikthyer të luajë në pozicionin e tij të zakonshëm, atë të sulmuesit anësor, por edhe ka shënuar pas kaq shumë kohësh.
Vetë ai në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” shprehet i lumtur për golin, por më së shumti për fitoren e rradhës dhe ecurinë pozitive që është duke patur skuadra kohët e fundit. Si rrjedhojë, premton fitoren edhe të dielën ndaj Partizanit.
“Jam shumë i lumtur që fituam sot dhe u kualifikuam për në raundin tjetër të Kupës, çka ishte edhe më e rëndësishmja dhe normalisht kjo erdhi edhe me një gol timin që shpresoj të jetë ai goli i fillimit dhe shpresoj që tashmë të jem liruar dhe pas tij të vijnë edhe të tjerë.
Ndeshjen ndaj Flamurtarit nuk mund ta quaj një test para Partizanit, sepse ne kemi disa ndeshje që po bëjmë mirë dhe po fitojmë. Kuptohet që ne e vlerësojmë Partizanin, por ne do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm që kemi aktualisht.
Unë për nevoja të ekipit kam luajtur edhe si mbrojtës i majtë në ndeshjet e fundit, por me rikthimin e Hakajt tashmë trajneri më ka kaluar në pozicionin tim të preferuar ku jap më të mirën dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu. Vëmendja jonë tashmë është e përqendruar tek ndeshja me Partizanin ku synimi do të jetë kuptohet vetëm marrja e tre pikëve”- ka deklaruar Mala./SHKODRA-SPORT.COM/