Rudi Vata ka folur për të ardhmen e djalit të tij Roko, nëse ai do të zgjedhë Shqipërinë ose Irlandën. Në një intervistë të dhënë për mediat britanike, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare theksoi se ai nuk do të ndikojë te zgjedhja e të birit dhe se gjithashtu quhet tradhtar, por Rudi Vata thekson se zemra e tij rreh vetëm për Shqipërinë.

“Mediat shqiptare më thërrasin gjithmonë, më quajnë tradhtar: ‘Ndalon djalin tënd të luajë me Shqipërinë, si mund ta bësh këtë?’. Ata ndërtojnë histori që nuk kanë ndodhur kurrë. Në jetën time, nuk i kam thënë kurrë Rokos se cilën kombëtare duhet të zgjedhë.

E di që Irlanda trokiti në derën tonë, ai ishte një djalë i ri dhe unë thashë që ishte një mundësi e mirë. Sigurisht që unë kam kujtime të bukura me Irlandën dhe sigurisht që gjyshja e tij është irlandeze, e gjithë familja e tij nga ana e nënës është irlandeze.

Unë jam shqiptar dhe zemra ime rreh për vendin tim. Zemra ime rreh për vendin tim dhe jam shumë krenar që kam përfaqësuar vendin tim. Por kjo është jeta e Rokos, jo e imja dhe nuk është e ardhmja ime, por e Rokos.

Mendoj se Roko ka zgjedhur Irlandën dhe është rritur atje te U-15, U-17, U-19 dhe së shpejti do të ketë eksperiencën me U-21. Tani është pjesa më e vështirë e aventurës në futboll.

A do të jetë i mirë mjaftueshëm? Unë nuk e di. E ardhmja do e tregojë. Pyetja është: Kush do t’i ofrojë atij projektin më të mirë dhe kush do ta bindë atë.

Është Roko që do ta bëjë zgjedhjen. Influenca ime është zero. Influenca ime është vetëm që t’i them atij të mësojë se çfarë është më e mira për atë dhe të bëjë zgjedhjen e vetë, sepse unë nuk mund ta vendos atë. Unë vij nga një vend diktatorial, por nuk më pëlqen të diktojë. Sepse e kam thënë që liria për mua është gjithçka dhe Roko ka lindur në liri.

Ai ka lindur në Skoci, ai ka qenë në këtë klub (Sëlltik) që 7 vjeç. Ndjenjat e tij janë ndryshe, ndërsa të mijat në atë moshë kanë qenë ndryshe.

Unë nuk kam pasur liri në vendin që të mendoja: ‘Një ditë do të jem lojtar i Sëlltikut’, në moshën e Rokos, kjo ishte e pamundur. Ishte ilegale që ta mendoje këtë gjë. Maksimumi që mund të mendoje ishte të luaje me skuadrën kombëtare. Ajo ishte ëndrra ime. Roko mund të ëndërrojë që të luajë për Barcelonën ose Realin e Madridit, askush nuk e ndalon atë”, u shpreh Vata në intervistën për “Off The Ball”.