Ditën e djeshme, Teuta në basketboll doli e mundur nga Shkodra me rezultatin 77-70. Në fakt, durrsakët zhvilluan një ndeshje jo shumë pozitive, teksa u pa qartë se Teuta nuk ishte në ditën e saj më të mirë.
Pas ndeshjes me Vllazninë, trajneri i Teutës Melzin Lazimi, ka folur për këtë takim, teksa u shpreh se lojtarët e tij nuk kishin motivin e duhur për ta fituar ndeshjen, ndërsa theksoi se kjo nuk është Teuta që jemi mësuar të shohim.
“Ndeshja ndaj Vllaznisë për ne, ishte në kuadër të formimit të situatave për play-offin. Të them të drejtën, them se nuk kishim motivin e duhur për ta fituar ndeshjen dhe kjo u reflektua edhe në fushën e lojës me shumë gabime.
Ndoshta, jo atë ndeshje që keni mësuar të shihni nga Teuta. Nuk ishim sot në nivelin e duhur. E thashë, ndoshta edhe pjesa e mungesës së motivit, për të luajtur, duke qenë se çdo gjë është vendosur dhe ishte një ndeshje e fundit. Megjithatë, për ne ishte kryesore që të rifreskonim pak energjitë e skuadrës dhe besoj se do të jemi gati tani për të vazhduar fazën play-off dhe besoj gjithmonë tek arritja e objektivave tona.
Patjetër, për ne fokusi është te ndeshja e parë me Kamzën. Patjetër që, çdo gjë merret hap pas hapi. Ne qëndrojmë gjithmonë me këmbë në tokë dhe do të punojmë shumë, pavarësisht se jemi në letër të favorizuar. Megjithatë, play-offi është gjithmonë histori tjetër nga kampionati dhe çdo ndeshje do të vlerësohet me rëndësinë e duhur dhe shpresojmë që hap pas hapi të shkojmë deri tek Kupa.
Patjetër që, e mendoj një finale Teuta-Vllaznia. Eshtë një gjë e mundshme. Besoj se do të jetë duel interesant Vllaznia-Tirana dhe të shohim se kush do të fitojë dhe shpresoj që të takohemi në finale me një nga këto dy skuadra.
Absolutisht, nuk kam asnjë preferencë për në finale. Nuk kam asnjë preferencë. Të dyja skuadrat kanë kualitetet e veta. Kanë edhe pikët e veta të dobëta. Kështu që, besoj se të dy skuadrat do të jenë të gatshme për të fituar trofeun, siç do të jemi edhe ne dhe besoj se çdo ndeshje do ta marrim me seriozitetin e duhur dhe shpresoj që të arrijmë objektivat tona.
Eshtë e rëndësishme që ne t’i mbështesim trajnerët vendas, sepse kemi sjellur lloj-lloj të huajsh këtu dhe rezultatet po i japin vendasit. E përgëzoj shumë Bekteshin, që kaloi nga lojtar dhe bëri tranzicionin e shpejtë, si trajner dhe i uroj gjithë të mirat dhe sa më shumë suksese”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Teutës në basketboll, Melzin Lazimi.
Maringlen ZHIVANI