Vllaznia kaloi nga “parajsa“ në “ferr“ brenda pak ditëve. Pas fitores së merituar ndaj Tiranës, shkodranët kanë humbur me shifrat 0-3 kundër Egnatias. Ky rezultat ka lënë një shije të hidhur për tifozët shkodranë, të cilët e kanë shprehur zhgënjimin e tyre në faqen zyrtare të klubit në rrjetet sociale.

Reagimi i tifozerisë kuqeblu i ka bërë përshtypje gazetarit Gerti Çarçani, i cili ka gjetur kohën në emisionin “Skaner“ në “MCN TV“ për t’i bërë thirrje tifozëve shkodranë se reagimi i tyre është i frikshëm dhe tërësisht i papranueshëm.

“Pjesa e tifozit është shumë sensitive, e ndjeshme. Aq më tepër të një tifozerie si të Vllaznisë. Por katapultimin agresiv e kam konsideruar të papranueshëm për vetë faktin se në harkun kohor të pak ditëve, në një javë nga fitimi i skuadrës në Tiranë me kampionen në fuqi dhe më tej nga humbja që kërkon një analizë të thellë, dhe kjo i shkon klubit, reagimi i tifozëve ishte i papranueshëm dhe përtej normave normale.

Me 80% me ç’kam parë gjatë gjithë ditës, nuk jam rrekur të futem dhe të merrem. Pjesa sensitive e tifozit kuptohet. Por gjykoj që kjo është tërësisht e papranueshme, si për presidencën dhe për trajnerin dhe për skuadrën.

Një tyrsni tërësisht nonsense, sepse Vllaznia u mund me meritë në Rrogozhinë. Egnatia fitoi me meritë. U shpërfytyrua si skuadër, por vetëm një javë më parë bëri një lojë shumë të mirë ndaj Tiranës, fitoi duke mos vjedhur asgjë. Në këtë prizëm reagimi i tifozëve ishte krejtësisht i dëmshëm dhe aspak dobi prurës. E shoh shpesh këtë te tifozeria shkodrane. Janë ca kapërcime në pak ditë për gjendjen e skuadrës.

Nëse veprojnë kështu, thjesht e ngarkojnë më shumë. Ndoshta do ishte më mirë për ta lënë për të punuar. Javë ka plot. Vllaznia u mund nga një kundërshtar serioz dhe që po e sinjalizon këtë. Kam parë dje reagime të frikshme dhe të papranueshme. Nuk i shkojnë një tifozerie me klas si të Vllaznisë”, është shprehur Gerti Çarçani./Sport Ekspres/