Ndërsa po flitej për humbjen e Partizanit ndaj Erzenit, në emisionin “Skaner” në MCN TV, ka ndërhyrë drejtori sportiv i të kuqve, Elton Marini.

Ky i fundit i ka dërguar një mesazh, moderatorit të emisionit, Gerti Çarçani, ku shkruhej: “Turp që kërkoni gjilpërën në kashtë. Sot ishte thjesht fat i keq.”

Kjo nuk u prit aspak mirë nga të pranishmit, ku Sulejman Starova dhe Ermal Tahiri kanë reaguar menjëherë. “Elton, se je miku im. Me cilin e ke atë gjilpëra në kashtë”, tha Starova.

Tahiri në fjalët e tij, tha se në rast se Marini nuk e mendon njësoj humbjen, atëherë është turp që është drejtor i Partizanit.

“Ta dimë për kë e ka atë. Ne kështu e mendojmë ndeshjen. Nëse ai nuk e lexon kështu, atëherë turp për atë që është drejtor i Partizanit. Ne nuk po e themi për të keq, po e themi për të mirën e Partizanit. Nëse ai nuk e gjen gjilpërën këtu ku themi ne, atëherë nuk merr vesh”, tha Tahiri.