Nga Endri ÇINARI

Faqja e specializuar e vlerave të futbollistëve dhe klubeve, Transfermarkt ka nxjerrë së fundmi çmimet për futbollistët dhe ekipet e Superiores. Kështu ekipi me vlerën më të madhe të lojtarëve në elitën e futbollit tonë është Partizani, ku të kuqtë kapin shifrën e 6.4 milionë eurove.

Pas tyre në këtë klasifikim vjen Egnatia me një vlerë futbollistësh prej 4.5 milionë eurove. E ndërsa mbyll treshen e ekipeve me vlerë më lartë, Tirana me shumën totale të 4.2 milionë eurove. Në këtë renditje, Vllaznia pavarësisht se ndodhet në vendin e 3-të në kampionat është 7-ta përsa i përket vlerave të futbollistëve.

Çmimi në total i gjithë rozës kuqeblu shkon në 3.65 milionë euro. Me një mesatare prej 152 mijë eurosh për futbollist. Lojtarët më të shtrenjtë tek shkodranët janë: Qarri, Stojanovic, Krymi, Alivoda, Boshnjaku, Mala dhe Gruda. Ku të gjithë emrat e sipër përmendur kanë një vlerë kartoni prej 250 mijë eurosh sipas faqes Transfermarkt.

Përsa i përket futbollistëve më të shtrenjtë në Superiore, lista kryesohet nga Arinaldo Rrapaj. Mesfushori i Partizanit ka një vlerë kartoni prej 650 mijë eurosh. Pas tij vjen mesfushori i Egnatias, Fernando që në treg kap vlerën e 450 mijë eurove. E ndërsa vendin e tretë në këtë klasifikim të veçantë e ndajnë: Ujka (Laçi), Hadroj (Partizani), Spahiu (Egnatia) dhe Magguette (Partizani), të gjithë futbollistë që kapin shumën e 400 mijë eurove në merkato.