Astrit Hafizi është nga ata trajnerë që ka fituar trofe me Vllazninë dhe jo më kot, më pas mori edhe drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë. Në analizën e tij për shkodranët, Hafizi e vendos gishtin në “plagë”.

Gjatë emisionit “Zona Gol” në SuperSport, ai kritikoi mënyrën e menaxhimit që i ka bërë presidenca aktuale klubit kuqeblu. Si shembull konkret, ai sjell largimin e lojtarëve shkodranë, në skuadra të tjera të Superiores, ku edhe po spikasin.

Në “Zona Gol”, Hafizi u shpreh se Vllaznia nuk ka stabilitet në ndeshjet e saj, ndërsa theksoi se pas largimit të trajnerit Thomas Brdariç, ekipi shkodran nuk ka pasur ndonjë nivel të lartë.

“Kohët e fundit, Vllaznia ka pasur shumë barazime. Kështu që, nuk ishte se kishte ndonjë stabilitet në lojën e saj.
E vetmja ndeshje që mbaj mend unë të paktën, ka qenë ndeshja e zhvilluar në “Air Albania” me Tiranën, që dolën 0-0. Ka qenë një ndeshje, që në mos gabohem, ka qenë në koment edhe Redi Jupi, sepse e kam dëgjuar gjatë transmetimit.

Ka qenë një ndeshje, që Vllaznia e rrahu me dy shpulla Tiranën, në kuptimin e figurshëm, por a ishte e vërtetë apo reale kjo? Për mendimin tim, nuk ishte reale, sepse Tirana tregoi se çfarë force kishte dhe Vllaznia, në atë ndeshje, na “gënjeu”.

Kësaj rradhe, duke pasur parasysh largimin e Brdariç, të paktën e kishte një moment që mund ta mbante skuadrën në tonus, por jo se kishte ndonjë nivel shumë të lartë. Kësaj rradhe, ishte duke pasur parasysh se u bë një ndryshim, një rrokadë mes trajnerëve Brdariç-Plori dhe tashmë më duket sikur i ka ikur gjithë fizionomia e lojës Vllaznisë.

Vllaznia nuk ka lojë më. Nuk ka identitet loje. Edhe ndaj Skënderbeut, po ta shikosh me vëmendje, pavarësisht se ishte një ndeshje e dobët, mendoj se Vllaznia e ka mendjen te Kupa, por ato harrojnë një diçka që ti, kur të vish deri te Kupa, duhet të jesh i motivuar.

Eshtë i rëndësishëm kampionati, sepse ajo kishte përsëri Partizanin në Shkodër, që ishte një nga ndeshjet, për t’u harruar në kuptimin e asaj që nuk kishte asnjë emocion ndeshja. Përsëri barazim diku tjetër, përsëri barazim në minutat e fundit me Teutën, pavarësisht se kishte momente të diskutueshme, por duke e parë në total, si do vish te finalja e Kupës, kur të gjithë ndeshjet e kampionatit, që kanë mbetur edhe pesë javë, ti i lëshon se e ke mendjen atje.

Kur të vish atje pastaj, ti nuk ke formë, nuk ke gjendje, nuk ke moral. Ndryshe e tregon Laçi, që në qoftë se e ruan një gjendje të mirë, që vazhdon me fitore këtu dhe me fitore atje, do të vijnë një moment, që ajo do të jetë më superior se ti, sepse ka atë formimin e saj, gjendjen e saj.

Edhe gjendjen psikologjike, Laçi e ka më të mirë se Vllaznia. Kështu që, Vllaznia po i bën gabim llogaritë mendoj unë, sepse ka qenë edhe ndeshja me Kastriotin, që u kthye nga 1-0, u kthye në 1-2 për Kastriotin, apo ndeshjet tjera, që nuk u arritën të fitohen apo humbja në Rrogozhinë 3-0 ndaj Egnatias.

Pra, janë disa momente që skuadra, sikur me largimin e Brdariç, humbi atë fizionominë e asaj skuadrës me lojën e bukur, pavarësisht se sivjet, kjo ishte ndërtuar për kampion, por me thënë të drejtën, vitin e kaluar, ishte tamam për kampion, edhe pse nuk ishte ndërtuar për kampion. Pra, shikoni shumë gjëra, që nganjëherë, bëjmë disa gjëra, bëjmë disa veprime, por nuk di se çfarë lojtarësh merr, ku në krahasim me një blerje shumë të thjeshtë, me një marrje shumë të thjeshtë të lojtarëve, që i ke ndoshta edhe nga akademia jote, disa lojtarë.

Mos të harrojmë në bazë të statistikave, që ka nxjerrë edhe Ylli Aga, Vllaznia është në vend të parë për shpërndarje lojtarësh. 27 lojtarë, në mos gabohem, ka Vllaznia të shpërndarë.

Në vend të parë është me lojtarët e akademisë së tyre. Shumë lojtarë nuk luajnë te Vllaznia. Shkojnë e furnizojnë gjithë ekipet e tjera. Kjo është pra ajo që duhet t’i vendoset gishti kokës. Mos bëj blerje, mos bëj disa veprime të tjera.

Merr njerëzit e duhur në staf, specialistët e duhur, që të jetë Vllaznia aty ku duhet, por kësaj rradhe është një dështim. Mendjen e kanë te Kupa mendoj unë, por unë nuk mendoj se është një sukses po të marrësh Kupën”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Vllaznisë, Astrit Hafizi.
Maringlen ZHIVANI