Kapiteni i Vllaznisë Erdenis Gurishta ka bërë edhe dje një ndeshje të mirë ndaj Laçit dhe ndonëse shpeshherë ka patur punë me Mazrekajn, ia ka dalë ta neutralizojë. Numri 2 i kuqebluve ka shprehur edhe keqardhjen e tij për humbjen e titullit në këtë mënyrë.
“Vërtetë mund të konsiderohemi kampionët moralë të këtij sezoni, por na vjen ta humbim titullin në këtë mënyrë që ai të vendoset me golaverazh.
Ishim të përqendruar për ta fituar këtë ndeshjen me Laçin dhe nuk e kishim shumë mendjen tek ndeshja në Durrës, ndonëse tifozët na lajmëronin për rezultatin. Duhet ta fitonim ndeshjen në mënyrë që të paktën të ishim nënkampionë
Por duhet ta mbajmë kokën lart sepse kemi një finale pas katër ditësh dhe duhet të luftojmë me mish e shpirt që ajo kupë të vijë në Shkodër, sepse ky qytet e meriton një kupë.
Kemi bërë futbollin më të bukur, e kemi merituar titullin, por nuk kemi se çfarë të bëjmë dhe të fokusohemi tek sfida finale e Kupës së Shqipërisë”- është shprehur Gurishta./SHKODRA-SPORT.COM/