Vllaznia U21 fitoi sot në shifrat 1-0 përballë Laçit. Një nga protagonistët ishte edhe UheId Hoxha, që shënoi golin e vetëm të ndeshjes, nga një goditje këndi.

Në intervistën pas ndeshjes Vllaznia U21-Laçi, futbollisti foli për këtë ndeshje, si edhe për të ardhmen e tij, teksa pret momentin e tij për të luajtur në ekipin e parë të Vllaznisë.

“Normalisht, ishte një fitore e rëndësishme, pasi kishim katër ndeshje pa fituar dhe sot na duhej fitorja medoemos.

Ishte një gol mjaft i bukur nga ana ime të them të drejtën, por ishte edhe me ndihmën e erës, pasi e shikoja portierin që kishte qejf të dilte. Tentova ta gjuaj dhe doli me sukses.

Trajneri Brdariç vjen e na shikon të gjitha ndeshjet që luhen në Shkodër. Ai sytë i ka te ne. Ne presim momentin tonë për të luajtur në ekipin e parë të Vllaznisë.

Kemi luajtur me katër ekipe pretendente dhe me të gjitha kemi qenë në avantazh. Mund të them që në pjesën e dytë, gjithmonë kemi pasur rënie. Shpresojmë që të ngjitemi përsëri.

E vështirë është për të pretenduar titullin kampion, por do të luftojmë deri në fund, pasi është edhe një fazë tjetër në lojë dhe ka pikë në lojë tepër. Dedikimi i shkon familjes dhe Zotit për çdo sukses”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i Vllaznia U21, UheId Hoxha.
Maringlen ZHIVANI