Bylis u rikthye tek fitorja në Kategorinë e Parë ditën e djeshme duke triumfuar në shifrat 2-1 përballë Maliqit. Një 3 pikësh që çon ballshiotët në kuotën e 30-të tillave dhe në vendin e parë. Tashmë ngjitja në Superligë mbetet një formalitet për Bylis.
Por ai që shkëlqeu në këtë takim ishte sulmuesi shkodran, Eridon Qardaku. 21-vjeçari arriti të shënonte një dopietë duke qenë më i miri i takimit dhe njeriu kryesor i skuadrës së Bylis.
Njëri nga golat madje ka qenë super spektakolar, ku Qardaku me një ekzekutim mjeshtëror nga goditja e dënimit dërgon topin në trekëndësh.
Një realizm për “kopertinë” ky i sulmuesit shkodran që po kalon një formë të jashtëzakonshme. Me dy golat e tij dje, ai ngjitet në 8 në total në Kategorinë e Parë. Më shumë se Qardaku ka shënuar vetëm Marku i Korabit me 9 gola në llogarinë e tij.
Qardaku gjithashtu numëron edhe dy gola në kupë. Pra një total prej 10 golash ku ende nuk është mbyllur faza e parë. Një super sezon deri më tani ky i sulmuesit teknik.
Performanca e tij patjetër ka rënë në syrin e disa ekipeve dhe interesimi për të është i madh. Por duket se Qardaku për momentin është i fokusuar tek Bylis që të bëjë sa më mirë dhe në fund të sezonit mund të shikojë opsionet e vijimit gë karrierës së tij.
Endri ÇINARI







