Futbolli është padyshim sporti më popullor dhe më i ndjekur në mbarë Botën. Është ai që lidh të gjithë me emocionet që transmeton në ato 90 minuta ku të shtunen ose të dielën në stadium të gjithë mblidhen për të parë ekipin e tyre të zemrës.

Një sport i tillë normalisht që ka ‘infektuar’ prej vitesh edhe tifozët në Shqipëri.

Por duket se futbolli po humb realisht vlerat në vendin tonë. Historia, tradita dhe trofetë tashmë nuk konsiderohen për askënd.

Ekipet më legjendare të vendit po vuajnë prej shumë kohësh dhe kjo vazhdon edhe këtë sezon.

Vllaznia, ekipi më i vjetër i Shqipërisë tashmë ka prerë biletën për në Kategorinë e Parë për sezonin që vjen.

Kuqeblutë janë rrëzuar dhe askush nuk gëzohet për këtë fakt pasi humbet një vlerë e futbollit kombëtar.

Tirana fitoi kampionatin në Kategorinë e Parë dhe vitin tjetër do jenë sërish në Superligë mes më të mirëve. Askush nuk festoi për këtë ‘arritje’ të bardhebluve pasi një trofe i tillë nuk është sukses, por më shumë është një njollë turpi në historinë e klubit më të madh shqiptar.

Trofeu u ngrit pa bujë dhe askush nuk u gëzua. Tirana kërkon ta harrojë sa më shpejt këtë vit e të rikthehet aty ku i takon, te trofetë që vlejnë në Superligë.

Elbasani u ngjit pas një viti të vështirë në Kategorinë e Dytë. Verdheblutë do luajnë sezonin që vjen në Kategorinë e Parë.

Edhe për ta nuk gëzohet kush. Nuk është një arritje të luash në Kategorinë e Parë, kur në vite ke qenë një klub me një histori të lavdishme e për tu pasur zili.

Një ekip që ke marrë kampionate dhe ke dhuruar futbollistë kampionë. Vlera që kanë humbur gjatë viteve edhe në Elbasan.

Duke mos lënë pa përmendur edhe të ‘harruarit’ Dinamo dhe Besa. Dy emra protagonistë të futbollit tonë ndër vite ku për ata mirë që nuk gëzojnë, por madje as nuk kujtohet kush se ekzistojnë.

Vlera të tilla po harrohen e po humben vit pas viti në futbollin shqiptar. Askush në pamje të parë duket se nuk gëzohet, por dikush pas kuintave po kënaqet me këtë çfarë po ndodh, por deri sa ta gjejmë se kush është ai që kënaqet atëherë futbolli në Shqipëri me të vërtetë do ketë marrë fund. /Newsport/