Mungesa e tifozëve dje në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” për të ndjekur ndeshjen Vllaznia- Tirana i ka detyruar tifozët shkodranë të mbushin ballkonet dhe tarracat e pallateve rreth e qark stadiumit, por edhe lokalet kudo nëpër qytet por edhe rrethina.
Videot që po shpërndahen në rrjetet sociale tregojnë festën e tifozëve të Vllaznisë nëpër lokalet e mbushura dhe padyshim që vetëvetiu kjo të krijon emocione.
Kudo nëpër këto pamje sheh qartë mënyrën si tifozët e Vllaznisë festojnë si “të çmendur” për fitoren e skuadrës së tyre të zemrës ndaj Tiranës, një fitore që në fakt ishte emocionuese nga mënyra si u arrit.
E të mos harrojmë se thjesht ishte një fitore e vlefshme për javën e tretë të kampionatit dhe asgjë më shumë, ndonëse fitoret ndaj Tiranës gjithmonë janë një arsye më shumë për t’u festuar.
Ajo çfarë është dilema ka të bëjë me faktin se çfarë do të kishin bërë tifozët kuqeblu në rast se Vllaznia do të shpallej kampion në fund të këtij sezoni.
Nëse do të ndodhte kjo, atëherë me siguri që e gjithë Shkodra do të ishte në festë dhe në fakt do të kishin arsye për të festuar sepse trofeu i fundit që Vllaznia ka fituar i përket vitit 2008./SHKODRA-SPORT.COM/