Gledi Mici është xholi i Tiranës në këtë fund kampionati. I paaktivizuar shumë, me Erbim Fagun, Mici ka treguar se është lojtar klasi dhe lider. Mbrojtësi i shumë titulluar në një intervistë për mediat pranoi se skuadra e tij tani nuk ka asnjë mundësi tjetër veç fitores. Mici i kërkon Vllaznisë që të jetë e drejtë dhe të luajë ashtu siç bëri edhe ndaj Tiranës. Mici analizoi edhe gabimet që kanë bërë bardheblutë gjatë 35 javëve. Në fund, mbrojtësi i majtë pranoi se nëse grupi shkon në “Final 4”, me shumë mundësi do të shpallet kampion, pasi ekipi nuk e ka më atë presionin që po mban këto javë.

Mici, jeni i kënaqur me barazimin pa gola që arriti Tirana ndaj Vllaznisë në javën e 35-të?

Të gjithë nuk jemi të kënaqur nga sfida me Vllazninë. Na bënte punë vetëm fitorja. Gjithsesi, jemi pak të mërzitur për atë që dhamë në fushën e lojës. Mendoj se nuk ishim shumë-shumë më mirë se Vllaznia, por ne bëmë diçka më shumë për ta fituar ndeshjen dhe fitoren duhet ta merrnim ne dhe për këtë arsye nuk jam i kënaqur në fund të kësaj sfide. Shpresoj që Vllaznia të luajë fort Skënderbeut ashtu siç bëri ndaj nesh në ndeshjen klasike.


Tirana ka pasur shumë ulje-ngritje, por nëse Tirana shkon në “Final 4” a e fiton titullin kampion?

Patjetër që po edhe pse kemi pasur luhatje të mëdha gjatë gjithë sezonit. Finalja është ndryshe. Janë vetëm dy ndeshje. Mbase mund të kemi më pak presion nga çfarë kemi tani. Dhe duhet ta themi se kemi kaluar shumë presion gjatë kampionatit për shkak të rezultateve. Në ato ndeshje mund të lirohemi dhe të gjithë lojtarët mund të japim më të mirën tonë dhe të fitojmë titullin kampion. Ama para se të shkojmë në ato ndeshje, duhet të mendojmë vetëm për Egnatian.