Sot, prej orës 19:00, në “Arena Kombëtare” nuk luhet thjesht një ndeshje. Vllaznia dhe Dinamo City zbresin në fushë për një duel që këtë sezon është shoqëruar me tension, polemika dhe “thumbime” të vazhdueshme mes trajnerëve Edi Martini dhe Ilir Daja.
Vllaznia vjen si skuadra që mbylli 36 javët e kampionatit në vendin e parë dhe me objektivin e madh për t’u rikthyer te titulli pas shumë vitesh. Nga ana tjetër, Dinamo City sapo ka fituar Kupën e Shqipërisë dhe kërkon të vazhdojë momentin pozitiv, edhe pse sot do të vuajë mungesa të rëndësishme. Ilir Daja mungon në stol për shkak pezullimi, ndërsa nuk janë të disponueshëm edhe Aldo Teqja, Malomo dhe Teksera.
Statistikat premtojnë një sfidë shumë të ekuilibruar. Në 4 përballjet e kampionatit mes tyre, Dinamo mbetet pa humbje në 3 ndeshjet e fundit, ndërsa 5 nga 5 duelet e fundit direkte kanë përfunduar me më pak se 2.5 gola. Edhe numri i goditjeve nga këndi ka qenë i ulët, me 5 nga 6 ndeshje që kanë prodhuar më pak se 10.5 korne.
Sipas kuotave të basteve, Vllaznia konsiderohet favorite me koeficient 1.67, që përkthehet në 60% probabilitet fitoreje. Megjithatë, shkodranët realisht kanë fituar vetëm 50% të ndeshjeve me këtë kuotim.
Forma e fundit sjell sinjale interesante: Dinamo ka shënuar e pësuar shpesh, me 4 nga 5 ndeshje që kanë kaluar mbi 2.5 gola dhe 8 nga 10 ndeshje që kanë prodhuar gola nga të dyja ekipet. Në anën tjetër, Vllaznia ka pasur 9 nga 10 ndeshjet e fundit me më pak se 2.5 gola, tregues i një skuadre më pragmatike dhe të kujdesshme.
Gjithçka të çon te një ndeshje nervash, ku detajet mund të vendosin fituesin e këtij ballafaqimi “inagurues” të “final four” në Superiore. Në “Arena Kombëtare”, sot nuk ka vend për gabime.


