Kristiano Ronaldo pa se si Portugalia mund të fitonte e shkëlqente shumë mirë edhe pa të sot, në suksesin 6-1 ndaj Zvicrës, duke siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës.

Futbollisti portugez ishte zëvendësues, por gjatë ndeshjes nuk shfaqi në asnjë rast pakënaqësi, përkundrazi mbështeti shokët nga pankina dhe në fund u mundua të jepte kontributin e tij në fushë.

Por ajo që ndodhi pas sfidës, e ka kthyer atë përsëri në epiqendër të opinionit publik. Ronaldo vendosi të mos bënte xhiron e plotë të festës të ekipit me tifozët, siç është bërë tradicionale nga skuadrat që falënderojnë ata që kishin ardhur t’i ndiqnin në tribuna në Katar.

Pamjet në fund të duelit tregojnë se ndërsa shokët e tij të skuadrës po i drejtoheshin një prej tribunave, Ronaldo u largua i vetëm drejt dhomave të zhveshjes, duke mos pritur pjesën tjetër të ekipit. Videot nga ky moment kanë pushtuar rrjetet sociale dhe nuk kanë munguar kritikat e polemikat për këtë gjest të sulmuesit portugez.