Rigers Musaraj është zbulimi i momentit te Vllaznia U-21, teksa ai arriti të shënojë një dopietë ditën e djeshme në ndeshjen ndaj Apolonisë. Sulmuesi 19-vjeçar që sezonin e shkuar ishte pjesë e ekipit U-19 të Vllaznisë, është i lumtur që po bëhet përcaktues me golat e tij te skuadra e U-21.

Ndoshta në të ardhmen për sulmin e ekipit të parë, Musaraj mund të jetë pikërisht futbollisti i duhur. Megjithatë, duhet parë në vazhdimësi forma e tij. Trajneri Elvis Plori me sa duket, po i jep sulmuesit besimin e duhur, ndërsa vetë Musaraj në një intervistë për “Shkodra Sport” tregon për momentin që po kalon.

Ai u shpreh se Vllaznia U-21 zhvilloi një lojë të mirë ndaj Apolonisë, ashtu siç ka ndodhur edhe në javët e fundit, ndërsa theksoi se synimi i ekipit shkodran është arritja e vendit të parë në renditje.

“Bëmë mirë dhe luajtëm një lojë të mirë ndaj Apolonisë. Eshtë java e katërt që ekipi po duket në formë shumë të mirë. Jemi duke bërë mirë si ekip dhe dëshira jonë është të kapim vendin e parë në renditje dhe të vazhdojmë me këtë ritëm.

Kam pasur një dëmtim në meniskun e gjurit, por ka pak kohë që jam rikthyer tashmë dhe e shoh veten në një formë të mirë. Synimet e mia janë për të luajtur me ekipin e parë të Vllaznisë dhe me Kombëtaren le të themi”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Vllaznia U-21, Rigers Musaraj.
Maringlen ZHIVANI