Real Madrid u tregoi të gjithë tifozëve të vet me krenari fundin e punimeve për rinovimin e stadiumit ”Santiago Bernabeu”. Punime të cilat i kanë kushtuar madrilenëve rreth 700 milionë euro, të shpenzuara për të modernizuar impiantin legjendar.

Por nëse drejtuesit e klubit nuk janë kursyer për përmirësimet në tribuna dhe në ambientet e brendshme, duket se ata që kanë kryer punimet nuk kanë qenë shumë të vëmendshëm me dhomat e zhveshjeve. Një video pas ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Getafes këtë fundjavë, ka zbuluar se spanjollët kanë shkruar gabim emrin e yllit të ri të skuadrës, Xhud Bellingam.

Futbollisti anglez shënoi golin e fitores në minutën e 95-të të sfidës, i pesti për të në këtë start perfekt të kampionatit dhe video tregonte pikërisht lojtarin të ulur në dhomat e zhveshjeve teksa intervistohej pas sfidës.

Por tifozët kanë qenë të vëmendshëm teksa kanë pikasur se dollapi i tij i personalizuar, si i të gjithë lojtarëve të tjerë të ekipit të parë, është ai ku shfaqet gafa qesharake, pasi në vend të “Bellingham”, aty shkruhej “Bellimgham”.