Veleçiku arriti të marrë një tjetër fitore ditën e sotme pas asaj të javës së kaluar. Kësaj rradhe në “derbin verior” ndaj Adës, në ndeshjen e zhvilluar në Velipojë dhe të fituar me shifrat 1-4 nga koplikasit. Pas ndeshjes, trajneri i Veleçikut, Dritan Smajli, ishte i mendimit se fitoi skuadra më e mirë në fushë.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, tekniku lezhjan u shpreh se kondicioni fizik i Adës linte për të dëshiruar, ç’ka ia bëri më të lehtë fitoren ekipit të tij, ndërsa i uroi suksese velipojakëve në vazhdimësi. Më poshtë, ndiqni edhe intervistën e trajnerit të Veleçikut, Dritan Smajli për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.

Profesor, një fitore ndaj Adës 4-1, si ishte kjo ndeshje për ju në këndvështrimin tuaj?

Normalisht, e kishim përgatitur që të hënën ndeshjen. E parashikoja të vështirë. Megjithatë, duhet të them se çunat bënë gjithçka sot, krijuam shumë situata goli dhe rezultati foli për skuadrën më të mirë në fushë besoj.


Profesor, ishte Veleçiku i fortë apo ishte Ada e dobët në fushën e lojës?

Shiko, duhet të jemi realist në atë që themi. Ne po bëjmë tre muaj që po përgatitemi, kurse Ada ka filluar me vonesë stërvitjet. U pa edhe sot që kondicioni fizik i atyre linte për të dëshiruar. Megjithatë, unë i uroj suksese, sepse nuk është mirë që të rrëzohet një skuadër e Veriut nga Kategoria. Shpresoj ta marrin veten. Unë duhet të them që ne ishim të fortë, sepse jemi stërvitur për të qenë të fortë.


Në katër ndeshje, Veleçiku ka marrë tre fitore, cili është çelësi i këtij suksesi që Smajli ka gjetur tek ekipi koplikas?

Normalisht që ditën e parë, kur kam marrë Veleçikun, jam shprehur që mua nuk më intereson me çfarë kundërshtari luaj. Luaj brenda apo luaj jashtë, unë dua të fitoj ndeshjen. Jam munduar të përcjell pak nga natyra ime, nga agresiviteti im në skuadër. Në një farë mënyre, ia kam arritur, por kam punë prapë për të bërë, sepse ka situata që skuadra bie nën presionin e kundërshtarit. Megjithatë, më lind mua për detyrë që ta rregulloj edhe këtë situatë. Besoj jemi në rrugën e duhur dhe të shohim ndeshjes pas ndeshje.

Synimet e Veleçikut dihet që janë për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, por ju cilët shihni si rivalët më të fortë?

Shiko, këtë vit kampionati është më i fortë, ka rivalitet më të ashpër po themi. Janë skuadra më shumë se sa kanë qenë vjet për t’u ngjitur një kategori më lart. Ne mos të harrojmë që kemi Vorën që ka shpenzuar shumë para po themi për të ndërtuar atë skuadër dhe kur kam marrë vesh shumën që ato kanë shpenzuar, i kam bërë pyetje vetes pse kaq shumë para për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Kemi Naftëtarin poashtu, kemi Sopotin poashtu, kemi Valbonën që ka shpenzuar jashtëzakonisht shumë plus që jemi edhe ne. Rivaliteti do të jetë i fortë, më besoni që nuk i trembem asnjërës, por le të shohim ndeshjet në vazhdim.


Ndeshja e rradhës për Veleçikun ndaj Sopotit, si e shihni?

Po, presim Sopotin, një ndër rivalët direkt, e presim në Koplik. Do jetë një ndeshje e vështirë si gjitha të tjerat, ndeshja e rradhës si gjitha të tjerat, vlen tre pikë si gjitha të tjerat. Shpresojmë të bëjmë mirë dhe të arrijmë të shkojmë drejt objektivit final.
Maringlen ZHIVANI