Ditën e sotme u zyrtarizua para mediave të Shkodrës si trajner i ekipit të parë të Vllaznisë femra, Haris Lika. Në fjalët e tij ish-trajneri edhe i Veleçikut u shpreh i emocionuar për këtë aventurë të re, por gjithashtu edhe para përgjegjësisë së madhe. Kjo pasi do drejtojë ekipin më të suksesshëm në vend në gjitha sportet. Megjithatë Lika u shpreh i gatshëm për nisjen e kësaj eksperience të re në karrierën e tij.
Lika tha: “Së pari dua të falenderoj presidentin Lazer Matija që më ka besuar pozicionin e trajnerit tek ekipi i Vllaznisë femra. Pas bisedimeve që kemi pasur së bashku kemi arritur të bëjmë këtë bashkëpunim. Për mua personalisht është prestigj të drejtoj këtë skuadër. Por edhe përgjegjësi shumë e madhe sepse do drejtoj ekipin më të suksesshëm në vend.
Jo vetëm tek futbolli i femrave, por në të gjitha sportet. Prandaj jam gati dhe i motivuar në maksimum për të bërë më të mirën time.
Objektivat ? Ato shkojnë paralelisht me ato të klubit. Kjo skuadër ka ambicie dhe do të përsërisë dhe pse jo ti kalojë arritjet e së shkuarës. Prandaj po punohet fort çdo ditë jo vetëm në stërvitje, por edhe në merkato.
Futbolli i femrave ? Nuk mund të them se ka ndryshime të mëdha me atë të meshkujve. Pavarësisht se për mua është hera e parë që drejtoj ekipin vajzash dhe për këtë duhet të kuptoj mentalitetin dhe qasjen që kanë vajzat ndaj futbollit. Por në fund mbetet futboll si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat.
Debutimi ? Do jetë në kualifikueset e Champions League kundër Hajvalisë së Kosovës. Duhet ti marrim hapat një e nga një dhe besoj se i kemi cilësitë që të bëjmë sa më mirë e të shkojmë sa më larg.
Çfarë më shtyu drejt kësaj eksperience të re ? Besoj se çdo trajner do të drejtojë një skuadër që luan në Champions League dhe të dëgjojë himinin në stadium. Por edhe trofetë që më kanë munguar deri më tani në karrierën time si trajner. Ku kam besimin se me këtë ekip do arrij ti plotësoj në të ardhmen.”
Endri ÇINARI