Dy peshëngritës të Vllaznisë do jenë pjesë e ekipit kombëtar shqiptar që do marrë pjesë në Kampionatin Europian të peshëngritjes që do të zhvillohet në Antalia të Turqisë në datat 6-16 prill. Ata janë pikërisht Erkand Qerimaj dhe Isa Bala. të dy këta sportistë sapo janë shpallur edhe kampion të Shqipërisë, në kampionatin e fundit që u zhvillua në Elbasan. Qerimaj doli kampion në peshën 85 kg por në fakt në Europian do konkurrojë në peshën e tij të preferuar- 77 kg. Ndërsa Bala do konkurrojë në peshën super të rëndë +105 kg. Forma e të dy sportistëve është shumë e mirë dhe kuptohet që shpresat për medalje ekzistojnë. Dy peshëngritësit shkodranë do jenë të shoqëruar edhe nga trajneri shkodran Genc Barkiçi, që është trajneri i parë i ekipit përfaqësues. Shqipëria për meshkuj i ka siguruar katër vende për në Olimpiadën e Londrës megjithatë në këtë aktivitet sigurisht që lufta do jetë për medalje. Përveç dy peshëngritësve shkodranë, pjesë e kombëtares sonë do jenë edhe 6 sportistë të tjerë meshkuj dhe 4 femra. Shpresat janë të mëdha për suksesin e rradhës të këtij sporti që vazhdon të jetë në pararojën e sportit shqiptar dhe jo më kot, por falë titujve të shumtë europianë dhe botërorë që marrin shtangistët tanë.

www.shkodrasport.com