Ka startuar dje pasdite në Shkodër Memoriali ndërkombëtar i boksit “Vllaznia 2012”. Aktiviteti më i rëndësishëm i këtij sporti, nga viti në vit njeh arritje të tjera teksa shtohet numri i ekipeve pjesmarrëse, shtohet cilësia e boksierëve pjesmarrës dhe prania në edicionin e sivjetëm e boksierëve që janë kampion olimpik, kampion bote, kampion Europe dhe kampion Afrike, ia ka rritur edhe interesin me të cilin ai shihet nga pjesmarrësit. Në momentet e fundit, nuk kanë mundur të sigurojnë biletat e ardhjes në Shqipëri, tre ekipe afrikani pikërisht Nigeria, Gambia dhe Sri Lanka, e për rrjedhojë numri i ekipeve pjesmarrëse në Memorialin “Vllaznia 2012” tashmë është 11. Aktiviteti ka nisur me rreshtimin e ekipeve pjesmarrëse, të cilat i ka përshëndetur në emër të organizatorëve pikërisht shefi i klubit Vllaznia Gëzim Mema. Pas kësaj ceremonie, kanë nisur ndeshjet që kanë dhuruar emocione.në fakt, emocionet më të mëdha kanë qenë në ndeshjen e peshës 64 kg kur boksieri i Vllaznisë Kristian Shytani ka bërë një ndeshje shumë të bukur ndaj bullgarit Hristov duke ngritur në këmbë gjithë pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe në fund sigurisht që janë lumtuar kur ai është shpallur fitues.Por Shytani ka qenë i pari nga boksierët tanë që ka fituar.Pas tij rradhën e ka patur Asmer Bilali që ndonëse ka patur përballë një boksier shumë të fortë si nënkampioni i Kazakistanit Kozhabekov por ka fituar me meritë ndaj tij. Kjo ndeshje ka qenë shumë interesante, e shoqëruar me një rivalitet shumë të madh. Pas Bilalit, suksesin tjetër për tanët e ka arritur tiranasi Bermeta perballë egjiptianit Hikal, për të vazhduar me një tjetër sukses në peshë 75 kg, me boksierin e Vllaznisë Bekim Vjerdha, ndërkohë që nga tanët, i fundit që ka dalë në ring ka qenë Kristian Demaj. Përballë egjiptianit Elalfy, shkodrani ka bërë një ndeshje shumë të mirë duke e detyruar kundërshtarin e tij të tërhiqet pas raundit të dytë. Në këtë mënyrë dita e parë e Memorialit “Vllaznia 2012” është mbyllur mirë për kombëtaren shqiptare teksa nga 7 ballafaqimet e sportistëve të saj, kanë dalë fitues 5 prej tyre. Kanë humbur dy boksierët e rinj Ronildo Piranej dhe Kristian Matija, megjithatë rivaliteti në këtë aktivitet ka qenë shumë i madh në çdo ndeshje dhe çdo peshë.Të pranishëm për të ndjekur ndeshjet e ditës së parë, kanë qenë deputetët e Shkodrës Gjokë Uldedaj dhe Ramiz Çoba, por ka rënë në sy edhe mundësi shkodran, kampion bote me Bullgarisë Elis Guri. në fund të ditës së parë, trajneri i kombëtares shqiptare Zef Gjoni është shprehur i kënaqur me mënyrën si kanë shkuar gjërat. “Mendoj se ia arritëm qëllimit të fitojmë ndeshjet tona kryesore. Sidomos do veçoj fitoren e Bilalit përballë një prej boksierëve më të mirë të Kazakistanit, këtij vendi me boks shumë të zhvilluar. Po ashtu, edhe fitorja e Demës ishte shumë e veçantë sespe e detyroi kundërshtarin e tij të tërhiqet. Po kaq të bukura kanë qenë edhe fitoret e Shytanit, Bermetës dhe Vjerdhës megjithatë vëmendjen më të madhe e kam deklaruar që e kam tek Bilali dhe Demaj tek të cilët kam shumë shpresa për të zënë vendin e parë dhe për të marrë medaljet e arta në këtë aktivitet. Për ne është shumë kënaqësi zhvillimi i një aktiviteti të tillë me përmasa të jashtëzakonshme për sportin shqiptar. Nuk është pak të vijnë në Shkodër, kampionë olimpikë, kampionë bote, kampion Europe, kjo tregon cilësinë e lartë të boksierëve pjesmarrësve dhe treguesi më i mirë për këtë janë mbyllja e ndeshjeve vetëm me pikë duke mos patur asnjë nokaut. Kemi patur jo pak stres përpara Memorialit për anën financiare por tifozët që vijnë në pallatin e sportit tani nuk duan t’ia dinë për këto gjëra. Duan të shohin boks, megjithatë ua shpërblyem me fitore dhe ndeshje të bukura. Pallati i sportit sonte ka patur shumë tifozë dhe në dy ditët e ardhshme mendoj se do ketë ehde më shumë”-ka thënë ai.

Fituesit e ditës së parë

52 kg    Georgi Andonov (Bullgari)

52 kg    Hesham Abdelaal (Egjipt)

56 kg    Bilel M’Hamdi (Tunizi)

56 kg    Vitorio Parrinelo (Itali)

60 kg    Luis Porozo (Ekuador)

64 kg    Kristian Shytani (Shqiperi)

64 kg    Vincenzo Mangiacapre (Itali)

64 kg    Abderrazak Houya (Tunizi)

64 kg    Uktamjon Rahmonov (Uzbekistan)

69 kg    Aymen Mejri (Tunizi)

69 kg    Anderson Rojas (Ekuador)

69 kg    Asmer Bilali (Shqipëri)

75 kg    Alban Bermeta (Shqipëri)

75 kg    Bekim Vjerdha (Shqipëri)

81 kg Kristian Demaj (Shqipëri)

81 kg Carlos Gongora (Ekuador)

81 kg Askar Abdullayev (Kazakistan)

91 kg Marko Radonjiç (Mali I Zi)

91 kg Mirzohidjon Abdullayev (Uzbekistan)