✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”
Vllaznia në futboll për femra ka mundur një tjetër rival të saj në kampionat, pikërisht Apoloninë. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në Fier, të fituar 2-0 nga vajzat kuqeblu, kanë vendosur golat e shënuar nga Megi Doçi në pjesën e parë dhe ai i Teresa Dedës në fundin e takimit.
Në këtë mënyrë skuadra e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka merr një tjetër fitore, të gjashtën rradhazi dhe vazhdon të kryesojë e vetme renditje, duke treguar edhe njëherë tjetër se do të jetë pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion edhe këtë sezon.
Ka qenë minuta e 26-të e ndeshjes dhe ekipi shkodran fitoi të drejtën e një goditje dënimi në hyrje të zonës së rreptësisë së ekipit vendas. Atë si zakonisht e ka marrë përsipër ta ekzekutojë Megi Doçi e cila ka treguar klasin e saj duke e dërguar topin mbi mur dhe ai ka përfunduar në rrjetë.
Pjesa e parë është mbyllur me këtë gol. Në të dytën, kampionet në fuqi të vendit kanë administruar gjithçka dhe madje në minutat e fundit ka shënuar edhe një gol të dytë me anë të Teresa Dedës dhe si rrjedhojë kanë marrë një fitore me vlerë në shifrat 2-0 ndaj njërës prej skuadrave rivale të tyre, Apolonisë.
Në këtë mënyrë, Vllaznia e femrave merr edhe fitoren e gjashtë rradhazi në kampionat dhe ndodhet në vendin e parë të renditjes me 18 pikë, ndërsa në vendin e dytë është Gramshi me 13 pikë dhe në të tretin Apolonia po me 13 pikë.
Më poshtë keni edhe videon e golit të Megi Doçit shënuar në ndeshjen e sotme, gol ky që i vulosi fatet e saj, pra duke i dhuruar Vllaznisë një tjetër fitore.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







