Elbasani është gati të bëjë dy goditjet më të bujshme të Kategorisë së Parë, madje me plot gojë mund të jenë ndër transferimet më të goditura të gjithë merkatos në Shqipëri.

Emiljano Musta dhe Ardit Hila janë ëndrra e madhe e drejtuesve dhe tifozëve elbasanas. I pari njoftoi largimin nga Egnatia dhe është lojtar i lirë në treg, ndërsa mesfushori pritet të lirohet nga Tirana sapo të hapet merkato.

Hila e ka deklaruar vetë se do të dëshironte të rikthehej në klubin e tij të zemrës në vendlindjen e tij, aty ku jeton aktualisht. Musta nga ana tjetër, po elbasanas, është ‘okazioni’ i fundit që prodhon merkato.

Musta dhe Hila, në një fotomontazh të bërë nga tifozët elbasanas ku shfaqen me fanellën e ekipit nën diciturat “Sa bukur po të rrin”, kanë reaguar me një ‘pëlqim’ në Facebook. Një sinjali i qartë për transferimin e tyre në vendlindje.