Vllaznia në futboll për femrave është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë. Pasi kishte humbur ndeshjen e parë në Durrës 1-2 ndaj Teutës, me të njëjtin rezultat është mundur edhe sot në stadiumin “Loro Boriçi”. Duket se vajzat kuqeblu pasi e kanë lëshuar këtë trofe edhe në dy sezonet e kaluar, kanë bërë të njëjtën gjë edhe këtë sezon.
Teuta e ka shënuar golin e parë në minutën e 41-të të ndeshjes. Pas një goditje dënimi të ekzekutuar fort nga Vishkulli, topi ka goditur shtyllën e djathtë pingule të portës shkodrane dhe është kthyer në zonë, aty ku Da Silva Matos nuk e ka patur të vështirë për ta dërguar në rrjetë.
Pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol. Në të dytën Vllaznia e rrit lojën dhe sheh shumë drejt portës mike dhe në minutën e 73-të pas një pengimi në zonë të Bajraktarit do të fitonte një 11-metërsh. Nga pika e bardhë Megi Doçi nuk do të gabonte duke i barazuar shifrat në 1-1.
Megjithatë ky rezultat do të zgjaste vetëm dy minuta sepse do të ishte sërish Da Silva Matos që do të shënonte në portën shkodrane dhe ndërkohë në minutat e mbetura nuk do të kishte gol tjetër dhe gjithçka do të mbyllej me fitoren 2-1 të Teutës.
Vllaznia kësisoj për të tretin vit rradhazi nuk e sheh veten në garë për fitimin e Kupës së Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë se ajo do të heqë dorë nga pretendimet e saj për t’u shpallur kampione e Shqipërisë për të 13-tin vit rradhazi.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


