Alban Tafaj, specialist në sektorin teknik në FSHF, e sheh si një kthim të rëndësishëm atë të Bekim Balajt në kampionatin shqiptar me fanellën e Vllaznisë. Duke folur në “Sport News” në “News 24”, ai theksoi se Balaj kishte mundësinë që t’i tregonte më mirë Silvinjos se sa mund të jepte kontribut për ekipin kombëtar.
“Balaj është nja lojtar nga ata të sakrificës në skuadër, është punëtor. Përveç bagazhit dhe eksperiencës që ka, është lojtar kryesor i ekipit kombëtar. I bën mirë rikthimi në kampionatin tonë se gjithmonë rikthimet kanë qenë paksa skeptike. Çdo specialist mendon që vetëm andej mund të bëhesh futbollist.
Por futbollisti duhet të shprehet ku ka hapësira. Kampionati ynë edhe me ndryshimin e infrastrukturës, është mirë që të vish të luash, aq më tepër në sytë e një trajneri që do të jetojë me kohë të plotë në Shqipëri si Silvinjo i cili do ta ndjekë gjithmonë me kohë të plotë Balajn.
Nëse mendon se ke për të dhënë për ekipin kombëtar, është momenti i duhur për të dhënë maksimumin për ekipin e zemrës dhe ka shumë arsye për t’u kthyer në formë. Nuk e di formën, por ambientimin do ta ketë të shpejtë me skuadrën se është në një klub që e ka rritur, ndaj e ka shumë të thjeshtë”, tha Tafaj.