Pasditen e së premtes Vllaznia do të luajë në “Kukës Arena” ndaj skuadrës vendase ndeshjen e javës së parë të fazës së dytë të kampionatit. Një fushë e vështirë për kuqeblutë të cilët nuk kanë arritur shumë fitore, megjithatë nesër do ta provojnë këtë gjë, për shumë arsye.

Së pari, sepse do të jetë hera e parë që do të fitojnë dy ndeshje rradhazi dhe së fundi, do të fitojnë ndaj një kundërshtari që me ardhjen e Stavri Nicës në krye të tyre, e ka rritur shumë performancën. Përpos këtyre fakteve, fusha ku do të luhet ndeshja ka një gjendje aspak të mirë dhe sikur të mos mjaftonin këto arsye, Vllaznia sërish edhe nesër do të ketë shumë mungesa.

Po si do të luajë Vllaznia në këtë takim? Natyrisht që trajneri Memelli tashmë e ka të qartë një ide për formacionin që do të hedhë në fushë nga minuta e parë. Kështu, në portë pas një muaji mungese pritet të rikthehet sërish Kristi Qarri. Ai e ka lënë pas dëmtimin që ka patur në bërryl dhe do të jetë i gatshëm për të mbrojtur katërkëndëshin e portës shkodrane.

Në mbrojtje do të ketë mungesa sërish, por edhe rikthime. Rikthehet nga skualifikimi Geralb Smajli që me shumë mundësi nuk do të luajë në pozicionin e tij të preferuar, në krahun e majtë, por mund të kalojë në të majtin, sepse edhe aty e bën mirë. Në të djathtin pritet të luajë Eslit Sala që është shndërruar në xholin e kuqebluve. Nga ana tjetër, nuk ndryshon dyshja e qendrës së këtij reparti që do të jetë sërish e formuar nga Millosh Stojanoviç dhe Marko Juriç.

Në mesfushë do të mungojë këtë rradhë për arsye kartonash Lorik Boshnjaku, por rikthehet Ardit Krymi dhe si rrjedhojë nuk do të ndryshojë asgjë teksa do kemi një zëvendësim kokë më kokë. Dy lojtarët e tjerë që do të luajnë në këtë repart, pritet të jenë Konstantin Cheshmedjiev dhe Rejan Alivoda.

I vetmi repart që nuk do preket nga ndryshimet, është ai i sulmit. Në dy krahët pritet të jenë titullarë nga minuta e parë edhe në këtë ndeshje Esat Mala dhe Ildi Gruda, të cilët do të jenë në mbështetje të kapitenit Bekim Balaj.

Me këtë formacion, por edhe me lojtarët e tjerë që do të jenë të gatshëm në stol, Vllaznia do të kërkojë fitoren pasditen e së premtes ndaj Kukësit, në ndeshjen që do të startojë në orën 14. Aktualisht shkodranët ndodhen në vendin e pestë të renditjes dhe sigurisht që do të kërkojnë të rikuperojnë pikë, për t’u ngjitur më lart sepse objektivi ky është. Dhe për ta arritur atë, duhet fituar ndaj Kukësit./SHKODRA-SPORT.COM/