✍️ Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Ekipi i Vllaznisë U-15, i drejtuar nga trajneri Malvin Meçarovi, është ndalur në barazim 1-1 në ndeshjen e radhës së kampionatit ndaj Teutës, e zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi”. Takimi nisi më mirë për durrsakët, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 34-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Megjithatë, në fraksionin e dytë, shkodranët reaguan dhe gjetën golin e barazimit me Danin në minutën e 46-të, duke rikthyer ekuilibrin në ndeshje. Në minutat e mbetura pati përpjekje nga të dyja skuadrat për të marrë fitoren, por rezultati nuk ndryshoi dhe sfida u mbyll në barazim 1-1.

Trajneri Meçarovi hodhi në fushë këtë formacion: Ndoj, Golemi, Hysa, Hasaj, Gjeloshi, Boshnjaku, Kjasi, Kulla, Demaj, Dani, Lumanaj, ndërsa në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Kastrati dhe Dabi. Pas këtij barazimi, Vllaznia U-15 numëron 8 pikë dhe renditet në vendin e gjashtë të klasifikimit.

Deri më tani, sezoni nuk ka qenë shumë pozitiv për kuqeblutë e vegjël, por ekipi ka ende kohë për t’u rikthyer në formë dhe për të përmirësuar ecurinë në javët e ardhshme.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”