Ada e Velipojës pësoi sërish një humbje tjetër, kësaj rradhe ndaj Veleçikut, në ndeshjen e zhvilluar në Velipojë dhe të fituar me shifrat 1-4 nga koplikasit. Megjithatë, tek velipojakët u pa një fytyrë krejt tjetër e ekipit në lojë, në krahasim me tre ndeshjet e para. Skuadra ishte më e lëvizshme dhe krijoi edhe raste gjatë ndeshjes.

I këtij mendimi është edhe trajneri i Adës, Altin Xhahysa, teksa në një intervistë për “Shkodra Sport”, pas ndeshjes me Veleçikun, tregoi përshtypjet e tij për përballjen e sotme ndaj koplikasve. Tekniku shkodran, që luajti nga minuta e parë në fushën e lojës si titullar, shtoi se në vazhdim pret një Adë ndryshe në fushën e lojës, ndërsa tha se disa rrethana e bënë edhe atë personalisht që t’i rikthehej futbollit të luajtur.

Xhahysa u shpreh se problemi i ekipit të tij në këto javë të para, ka qenë fillimi me vonesë i stërvitjes, ndërsa theksoi se skuadra e Adës po vjen nga momenti në moment në ndryshim për mirë. Më poshtë, ndiqni edhe intervistën e trajnerit të velipojakëve, Altin Xhahysa për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.


Profesor Xhahysa, një humbje ndaj Veleçikut sot, çfarë nuk shkoi?

Ne humbëm me rezultatin 1-4, por të them të drejtën, duke llogaritur edhe ndeshjet tjera me Ilirinë, Naftëtarin dhe Vorën, sot pashë më besim te djemtë. Sot pashë më kurajo, pashë më guxim, pra, duke përjashtuar tre ndeshjet e para. Megjithatë, e kam prekur edhe ndeshjet e para të kampionatit, që problemet tona janë te ajo vonesa e stërvitjes, që kemi filluar shumë vonë, pra në fillim të kampionatit, ne jemi mbledhur dhe normalisht, kjo tregon edhe problemet e Adës jo vetëm sot, por edhe në javët e para. Megjithatë, normalisht, duke punuar mund të bëhet gjithçka.

Në javët në vazhdim, mund të shohim një Adë më të konsoliduar në fushën e lojës?

E thashë edhe më lart. Ndryshimi i lojës sot me tre javët e para është i dukshëm. Kjo tregon se ekipi po vjen nga momenti në moment në ndryshim për mirë, por dihet se kur je në këtë kampionat, pikët janë më të vlefshme. Aty është synimi i çdo klubit, jo vetëm i klubit të Adës, por shpresojmë që djemtë mos ta ulin kokën, sepse humbja do të na japë më tepër besim.

Cilat janë objektivat e Adës këtë sezon?

Për objektivat e kam të vështirë për të folur çdo herë, jo vetëm te Ada, por edhe kur kam qenë në klube të tjera. Thjesht, jam tek ajo pjesa që kam dëshirë që të shikojmë ditë pas dite, hap pas hapi, duke parë në vazhdim.


Vitet për ju një numër profesor, po ju shohim në fushën e lojës dy ndeshje rradhazi dhe si titullar, është rikthyer Xhahysa protagonist si dikur?

Ah, është e vështirë për t’u kthyer si dikur. Megjithatë, të thashë, janë disa gjëra, disa rrethana që mua më bënë për të hyrë për të luajtur, por normalisht, duke parë shumë mangësira që kemi momentalisht te klubi, është më tepër për t’i krijuar besim skuadrës, sepse ka shumë djem 20-21-vjeçarë. Thjesht, këtyre futbollistëve t’u jap atë besimin për të dhënë më tepër se duhet.


Ndeshja e rradhës për Adës sërish derbi, kësaj rradhe ndaj Murlanit, mund të nisin kthesa nga ajo përballje?

Normalisht, ne në çdo ndeshje hyjmë me synimin për fitore, as nuk diskutohet kjo. Megjithatë, është një ndeshje e rëndësishme, duke ditur që është ndeshje kundër Murlanit, por shpresojmë që të bëhet më e mira.
Maringlen ZHIVANI