Përzgjedhësi i Kombëtares së Turqisë, Vincenzo Montella, ka folur në prag të përballjes vendimtare ndaj Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke theksuar rëndësinë dhe presionin e madh që e shoqëron këtë ndeshje. Tekniku italian pranoi se pritshmëritë janë të larta, por shprehu besimin se skuadra e tij ka kapacitet për ta përballuar situatën.
“Do të ketë shumë presion. Ka lojtarë që nuk ishin të lindur kur Turqia luajti për herë të fundit në Botëror. Besoj se do ta përballojmë me sukses presionin”, tha Montella.
Ai vlerësoi maksimalisht edhe rrugëtimin e Kosovës deri në këtë pikë: “Kosova me plot meritë ka arritur deri këtu. Ka pasur vazhdimisht rezultate pozitive. Pres që të jetë një finale e madhe dhe e fortë”.
Montella foli gjithashtu për eksperiencën e tij në krye të Turqisë dhe për besimin që ka te lojtarët, pavarësisht rezultatit të ndeshjes: “Jam i lumtur që jam selektor i Turqisë. Kam përkrahjen e presidentit dhe e arritur kjo është falë lojtarëve. Çfarëdo rezultati të jetë nesër, jam krenar për këta futbollistë”.
Ndeshja Kosovë – Turqi pritet të jetë një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e të dyja kombëtareve dhe do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.


