Golashënuesi më i mirë në historinë e skuadrës së Vllaznisë, Vioresin Sinani, e shikon si arritje fitimin e Superkupës nga shkodranët, edhe pse bëhet fjalë për një trofe honorifik. Sipas tij, ky trofe do të vlente për moralin dhe vazhdimësinë e ekipit.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri aktual i të rinjve të Vllaznisë, foli edhe për të ardhmen e kuqebluve duke shpresuar në marrjen e maksimumit në sezonin e ri. Si pjesë e akademisë, ai vijon të jetë i mendimit se Vllaznisë nuk do t’i mungojë asnjëherë elementi cilësor i dalë nga shkolla shkodrane.
Vllaznia të shtunën lufton për trofeun e parë sezonal, si e shikoni këtë finale të Superkupës?
Përballje e fortë. Luajnë dy ekipe që do të jenë pretendente së bashku edhe me 2-3 skuadra të tjera për trofetë e sezonit të ri. Besoj që do të luhet një ndeshje e bukur. Vllaznia ka përballë një kundërshtar mjaft të fortë si Teuta. Uroj që Vllaznia të jetë fituese.
Triumfi mund të nënkuptohet se Vllaznia e meritonte fitimin e titullit kampion në sezonin e shkuar?
Uroj të triumfojë Vllaznia. Ta filloj me trofe sezonin e ri, pasi është një trofe i rëndësishëm që do t’i shtohet klubit. Kurse sezoni i kaluar është mbyllur dhe nuk kemi pse t’i kthehemi më. Tani po fillon sezoni i ri.
Si një ish-fitues i Superkupës, cila do të ishte këshilla juaj që do t’i jepnit skuadrës shkodrane për të fituar këtë trofe?
Ata janë profesionistë. E dinë se trofetë fitohen me luftë e djersë. Nuk besoj se skuadra ka nevojë për këshilla.
Bëhet fjalë për një trofe moral, pasi nuk prodhon të ardhura. Sa forcë do t’i jepte Vllaznisë për sezonin e ri fitimi i Superkupës?
Është trofe dhe trofeu është gjithmonë i bukur. Plus ana psikologjike do të jetë e lartë për Vllazninë në qoftë se fiton, pasi jemi para fillimit të kampionatit.
Si ju duket Vllaznia e këtij sezoni të ri?
Unë e shikoj pretendente në të gjitha garat. Ekip me një bosht të konsoliduar, që të argëton me futbollin që ka dhënë.
E shikoni me të njëjtat pretendime si sezonin e shkuar?
Patjetër që e shoh ndër pretendentet kryesore për trofetë.
Nisur nga përbërja, ekipi aktual, a është më cilësor?
Ekipi është cilësor dhe mbi të gjitha luan futbollin e bukur sulmues, siç i ka hije Vllaznisë.
Nga këndvështrimi juaj, ka ende vend për t’u plotësuar kjo skuadër?
Kjo është një pyetje që nuk mund t’i përgjigjem. Stafi teknik e di më mirë se ku ka më shumë nevojë për përforcime.
Vioresin Sinani te fidanishtja e futbollit shkodran, trajner i U-19. Sa përgjegjësi është për ju kjo detyrë e re?
Çdo detyrë ka përgjegjësitë e veta, por të merresh me moshat është përgjegjësi, por edhe kënaqësi, pasi janë e ardhmja e futbollit shkodran, të cilën Vllaznia e ka të garantuar gjithnjë.