Vioresin Sinani ka folur para ndeshjes së Vllaznisë kundër Tiranës, e vlefshme për javën e tretë të Superiores. Kjo sfidë do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Tashmë pjesë e stafit teknik të Vllaznisë, ish-sulmuesi i njohur i kuqebluve analizoi shkurtimisht këtë përballje duke dhënë edhe parashikimin e tij. Në fjalën e tij për Oversport, Sinani deklaroi:
“Goli më i bukur? Nuk mendoj se veçohen. Unë jam shkodran, Vllaznia është zemra ime. Për Vllazninë bëj çdo gjë. Kemi pritshmëri të mira pas fitores me Kukësin. Besoj se do të marrim rezultat pozitiv. Kemi respekt për Tiranën, por jam i bindur që Vllaznia është një skuadër e fortë.
Parashikimi? Mendoj që fiton Vllaznia, s’ka rëndësi rezultati. Emocionet në këtë stadium janë të praishme. Është një derbi i Shqipërisë që ndiqet me interes nga të gjithë. Janë dy nga skuadrat më të forta të kampionatit shqiptar.
E ardhmja? Planet i di vetëm Zoti. Ne mundohemi t’i bëjmë hyzmetin punës. Plane afatgjata s’kam qejf të bëj. Por, t’ia lëmë kohës çdo gjë”, tha ai./newsport/