Visar Bekaj hedh poshtë lajmet e mediave turke. Portieri i Tiranës, përmes një komenti, ka treguar se do të vijojë t’i qëndrojë besnik kampionëve të Shqipërisë.
Në Turqi u bë fakt i kryer kalimi i “gardianit” në kampionatin turk. Por, siç duket s’ka asgjë të vërtetë dhe gjithçka mbetet në kuadrin e thashethemeve.
Në një nga mediat në vend, Bekaj komenton me ironi duke theksuar faktin se nuk ka asgjë të vërtetë.
“Kishte qenë mirë me ditë dhe unë diçka. Hajde për hajër na qoftë”, shkruan ai në koment duke lënë të nënkuptohet se gjithçka është e sajuar.
Kësisoj, 25-vjeçari do të jetë edhe për sezonin e ri pjesë e Tiranës. Ai dha një kontribut të çmuar në arritjen e titullit kampion te bardheblutë në edicionin që lamë pas.
Ofertat në drejtim të tij s’kanë munguar, por dëshira e lojtarit dhe e klubit ka qenë vijimi i bashkëpunimit edhe për një edicion tjetër.