Kristi Qose vazhdon të shënojë në kampionatin çek të futbollit dhe të ndihmojë skuadrën e Karvina që të largohet nga zona e rrezikshme në renditje, për të siguruar një mbijetesë të qetë. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare, ka gjetur sot golin e 6 në kampionat, duke i hapur rrugë një suksesi të rëndësishëm ekipit të tij.

Në ndeshjen ndaj Çeske Budejovice, kur regjistrohej minuta e 7 e ndeshjes, Qose lëshoi një gjuajtje të kalibruar nga jashtë zonës, duke dërguar sferën aty ku portieri kundërshtar nuk mund të arrinte.

Një gol që bëri më të lehtë ndeshjen për ekipin e Karvina që shënoi edhe dy herë të tjera më pas e mori tre pikë që duket se i garantojnë mesin e artë të klasifikimit dhe javë të qeta në mbyllje të kampionatit.

Për Qosen ky ishte goli i 6 në 21 ndeshje të luajtura në këtë edicion me klubin çek, edhe pse rreshtohet në mesfushë si një lojtar me tipare mbrojtëse, provë e aftësive të tij. Futbollisti nuk grumbullohet me kombëtaren shqiptare që nga ndeshja e luajtur ndaj Francës, ku ai ishte në fushën e lojës në pjesën e parë të sfidës. /vipsport/