Derbi i Durrësit shkon për Erzenin, teksa shijakasit kanë triumfuar me përmbysje me rezultatin 1-2 ndaj Teutës, në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës, e vlefshme për javën e 12-të.

Një duel me të vërtetë derbi, duke parë emocionet, rastet dhe golat që kishte ky takim.Golat u shënuan të gjitha në pjesën e dytë të ndeshjes, me Lorenco Vilën që kaloi në avantazh skuadrën e Bledi Shkëmbit në minutën e 48′.

Barazimi nuk vonoi, teksa Amir Kahrimanoviç shpiku një gol mjaft të bukur në afërsi të zonës në minutën e 54′.Goli i përmbysjes dhe i fitores së skuadrës së Xhevahir Kapllanit, u realizua nga Patik Nonato në minutën e 69′ pas një aksioni model dhe perfekt nga Ilirid Ademi, i cili shërbeu për sulmuesin brazilian, me këtë të fundit duke dërguar topin në fundin e rrjetës.

Me këtë fitore, Erzeni ngjitet në vendin e dytë në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Teuta me këtë humbje renditet në vendin e fundit me 8 pikë.
Vlen të theksohet se ky takim u luajt në Rrogozhinë, pasi fusha e stadiumit “Niko Dovana”, i është nënshtruar mbjelljes së barit.

FT | TEUTA 1-2 ERZENI

L. Vila 48′ / Kahrimanoviç 54′, Nonato 69′