Vllaznia mori një barazim në shifrat 0-0 përballë Tiranës ditën e djeshme në sfidën e vlefshme për javën e 12-të të Superiores. Shkodranët vazhdojnë me marrjen e rezultateve pozitive duke qëndruar shumë afër kreut e duke treguar pretendimet serioze që kanë në këtë edicion.

Pavarësisht se kundër një rivali të fortë siç është Tirana, skuadra nuk e gjeti golin, rastet ishin të shumta, por që nuk u shfrytëzuan asnjëherë nga futbollistët e Vllaznisë.

Dhe më konkretisht barra më e madhe bie mbi Ante Aralica. Sulmuesi kroat që e nisi si titullar kundër bardhebluve, kishte shanse ideale për të shënuar. Në një moment në pjesën e parë, ai u ftua në mënyrë të mrekullueshme nga Mala, por nuk arriti të shënojë më portierin e mposhtur e me portën thuajse të boshtatisur. Duke bërë që ta përplasë topin në trupin e njërit prej mbrojtësave të kampionëve të vendit.

Po ashtu shtatlarti kishte një shans tjetër ideal në pjesën e parë, ku pas një krosimi nga e majta e dërgon topin në shtyllë. Pavarësisht se ndoshta edhe shansi nuk ishte me të në atë moment, por edhe goditja nuk ishte një nga më të mirat e mundshme.

Gjithashtu edhe Kaina në minutat që u aktivizua kur hyri në fushë në vend të Aralices nuk është se shfaqi rrezik për mbrojtjen e Tiranës. E ndërsa nuk mund të vlerësohet performanca e Hoxhajt që pati pak minuta për të shfaqur vlerat e tij.

Vllaznia pavarësisht se ka shënuar 12 gola deri në këtë moment, ka pasur një krizë përsa i përket sulmuesve. Kjo pasi Aralica dhe Kaina kanë shënuar nga një gol e ndërsa dy gola ka shënuar Hoxhaj.

Shumë pak për sulmuesit e një skuadre që pretendon titullin kampion e me siguri ky pushim i kampionatit mund të shërbejë për mirë për vijën e sulmuesve të kuqebluve, që në rikthimin e Superiores duhet të jenë në formën më të mirë për të ndihmuar skuadrën më golat e tyre.
Endri ÇINARI