Problematika me pësimin e golave këtë sezon tek Vllaznia ka qenë me të vërtetë konkret. Kjo pasi shkodranët në 12 javët e luajtura deri më tani këtë edicion kanë pësuar 12 gola. Shifër që konsiderohet e lartë për një ekip që pretendon për titull kampion dhe zonat e larta të renditjes.

Por ditën e djeshme, në duelin kundër Tiranës gjithçka përfundoi në shifrat 0-0. Mbrojtja shkodrane dhe në tërësi gjithë skuadra bëri një punë të mirë. Dhe e konkretizuan duke e mbajtur portën e Zogoviç të paprekur, ku duke llogaritur edhe ndeshjen e fituar kundër Kukësit në shifrat 0-1, diçka e tillë ndodhi për herë të parë këtë sezon.

Kjo pasi ekipi i drejtuar nga Mirel Josa e ka mbajtur shifrën 0 mbrapa për dy ndeshje rradhazi. Statistikë që nuk kishte ndodhur më parë në ndeshjet e javëve të shkuara ku skuadra ishte ndëshkuar sistematikisht.

Diçka e tillë tregon se tek Vllaznia kanë mësuar nga gabimet e po mundohen ti përmirësojnë dhe kjo është shikuar në dy ndeshjet e fundit.

Dy duele që realisht kanë qenë të forta përballë skuadrave si Kukësi dhe Tirana, e për më tepër në transfertë. Ndoshta edhe ndalimi i kampionatit mund ti bëjë akoma edhe më mirë që skuadra të përmirësojë akoma më tepër në rikthim. Ku gara patjetër do jetë më e egër dhe e fortë deri në përfundimin e edicionit.
Endri ÇINARI