Vllaznia mori një barazim në shifrat 0-0 ditën e djeshme në sfidën kundër Tiranës. Në duelin që vlente javën e 12-të të Superiores gjithçka u mbyll në baraz peshë në të ashtuquajturin derbi i Shqipërisë. Një ndeshje që dhuroi shumë emocione dhe raste në të dy krahët, por pa pasur mundësi të shijohej një gol nga asnjëra skuadër.

E një meritë të madhe kishin edhe repartet e prapavijës të secilës skuadër e po ashtu portierët. Një nga më të mirët e ndeshjes dje, ndoshta për të mos thënë më i miri me performancën e tij ishte edhe Darko Bulatoviç. Mbrojtësi malazez i Vllaznisë zhvilloi një ndeshje të një niveli shumë të lartë, ashtu siç e kërkon edhe vetë një sfidë e tillë.

I saktë, i fortë e po ashtu një lider në prapavijë, 33-vjeçari ishte një siguri më vete për shkodranët në duelin kundër Tiranës. Të gjithë sulmuesit bardheblu e patën shumë të vështirë kundër mëngjërashit që u shndërrua në “makthin” e tyre. Patjetër edhe eksperienca ndër vite bën që Bulatoviç ti përjetojë siç duhet edhe sfida të tilla.

Ku presioni dhe dëshira për të bërë sa më mirë është e madhe. Aspak mediatik, ku merr vëmendje të paktë nga opinioni, Bulatoviç nga java në javë po tregon që është një nga lojtarët kryesorë të kësaj Vllaznie.

Ku jo më kot ku së bashku me Zogoviç, Gurishten dhe Malen është një ndër futbollistët që ka pasur më shumë minuta e duke i shpërblyer me paraqitje shumë pozitive çdo herë.
Endri ÇINARI