Dinamo vazhdon të jetë shumë aktive në merkato që në ditët e para të janarit, pasi kërkon që të sistemojë sa më shpejt grupin e lojtarëve në dispozicion të Bledi Shkëmbit.

Blutë ishin në kontakte prej shumë kohësh me një mbrojtës, siç ka raportuar vazhdimisht “Panorama Sport”, ndërsa tashmë mësohet edhe identiteti i tij.

Blutë kanë arritur akordin me 25-vjeçarin nga Kameruni, Olivier Kingue, i cili pritet të bashkohet së shpejti me ekipin kryeqytetas. Futbollisti i cili mund të luajë edhe si mesfushor mbrojtës, është prej disa vitesh pjesë e futbollit çek, ku ka luajtur me klube të ndryshme, së fundmi me FK Pribram në kategorinë e dytë të këtij vendim, ndërsa ka qenë pjesë edhe e Standart Liezh në Belgjikë dhe Olhanense në Portugali.

Afrimi i Kingue pritet të zgjidhë një nga problemet e Dinamos së këtij sezoni, pasi prapavija shpesh ka qenë në bankën e të akuzuarve për mënyrën se si pësonte golat. Me rritjen e konkurrencës në këtë repart, pritet që skuadra të ketë një fazë më efektive mbrojtëse në pjesën e dytë të sezonit.