Pas përfundimit të turit çerekfinal, tashmë gara do të vazhdojë dhe ditën e dielë do të nisin takimet gjysmëfinale të kampionatit në volejboll për të reja.

Katër ekipet më të mira që kanë fituar të drejtën për të vazhduar më tej garën drejt fitimit të titullit kampion, janë Vllaznia, Tirana 1, Apolonia dhe Skënderbeu.

Sipas shortit paraprak, kampionia në fuqi e vendit- Vllaznia, do të ndeshet me Apoloninë dhe ndeshja e parë në mes këtyre dy ekipeve do të luhet ditën e dielë në orën 10.30 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Ndërkohë takimi i dytë do të luhet gjashtë ditë më vonë, pra më datë 20 prill në Fier. Rregullorja e thotë qartë se në finale do të kalojë ekipi që fiton dy ndeshje dhe vajzat shkodrane do të tentojnë ta mbyllin këtë çështje në Fier, pa patur nevojë për një ndeshje të tretë në Shkodër.

Siç dihet, Vllaznia është kampione në fuqi e vendit dhe skuadra e drejtuar nga trajnerja Ana Gjelaj dhe ndihmësi i saj Ferdinand Bardeli, do të tentojnë të jenë kampione e vendit edhe për sezonin 2018-2019.
© shkodrasport.com