Vllaznia ka arritur të barazojë 1-1 në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Qemal Stafa” ndaj Tiranës. Kjo ka qenë ndeshje e vlefshme për javën e 14-të të Superligës shqiptare. Një ndeshje me shumë tension brenda për të dy skuadrat si pasojë e renditjes së tyre. Në fushë ka qenë tjetër gjë. Gabime të shumta nga futbollistët dhe një lojë që nuk është ngjitur në lartësinë e duhur. Trajneri Canaj kishte lënë jashtë Tafilin në këtë ndeshje dhe ka aktivizuar në vend të tij Bardullën ndërkohë që në sulm në vend të Bushiç të penalizuar me kartona, ka luajtur Hajdari.
Do të ishte pikërisht ky futbollist që do të shënonte golin e avantazhit në minutën e 36-të të ndeshjes pas një aksioni të shpejtë të kuqebluve. Pjesa e parë do mbyllej 1-0 për Vllazninë. Në të dytën u mendua një ruajtje e këtij rezultati dhe ndoshta thellimi i tij por nuk do ndodhte kështu. Në minutën e 57-të pas një krosi nga e djathta, Limani e fut shpejt majën e këmbës para Seminës dhe topi përfundon në rrjetë, i pandaluar dot as nga portieri Vujadinoviç. Në minutën e 65-të Belisha do të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë nga gjyqtari Sadiku dhe për rrjedhojë do merrte edhe të kuqin duke e lënë skuadrën me 10 futbollistë në fushë. Pas këtij momenti, objektivi i vetëm i Vllaznisë do të ishte ruajtja e barazimit dhe ia ka dalë deri në fund. Për t’u përmendur fakti që pak minuta para fundit të ndeshjes, gjyqtari Sadiku ndali një aksion të Gocajt në mënyrë krejt të pakuptimtë duke dhënë faull kundër tij dhe drejtori sportiv Grima, shumë afër vendit, ka protestuar tek gjyqtari. Për pasojë, edhe ai është larguar nga pankina, ashtu siç u veprua edhe me trajnerin Canaj në ndeshjen e së mërkurës për kupë me Partizanin. Vendime të çuditshme të gjyqtarëve por edhe të Komisioneve të FSHF-së duke parë se çfarë ndodh në fushat e tjera dhe me skuadra e tjera por ndaj tyre nuk ka dënime të tillë. Përfundimisht barazim 1-1 ndaj Tiranës dhe Vllaznia është ngjitur në kuotën e 18 pikëve në renditje.
Tirana- Vllaznia 1-1
Tirana: Caka, Kerciku, Pashaj, Kalari (Kotobelli 64′), Kaja (Sina 15′), Peposhi, Limani, Taku, Semedo (Sorra 19′), Çota. Tr: Gugash Magani
Vllaznia: Vujadinoviç, Gocaj, Kraja, Semina, Boci, Sykaj, Belisha, Bardulla (Dibra 52′), Kruja, Shtubina (Tafili 67′), Hajdari (Gjini 92′). Tr: Samuel Nikaj
Shënues: Limani 57’/ Hajdari 36′
Gjyqtarë: R. Sadiku (Elbasan), R. Çokaj (Lezhë), D. Rexha (Tiranë)
Kartona të verdhë: Kerçiku, Karabeci/ Vujadinoviç, Belisha (2), Boci
Karton i kuq: Belisha 65′
Gjergj KOLA