Emocione pa fund mbrëmjen e së shtunës në “Qazim Dervishi” ka dhuruar finalja e parë e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe Teutës. Një ndeshje që u duk se do të fitohej lehtë nga shkodranët por disa gabime të njëpasnjëshme të tyre e vunë në dyshim këtë gjë dhe në fund ata kanë triumfuar. Atmosfera në pallatin e sportit ka qenë e shkëlqyer. I mbushur plot e përplot, kjo finale ka dhuruar shumë emocione.

Vllaznia e nisi mirë ndeshje, u shkëput deri në 13 pikë por në periodën e fundit, gaboi jo pak, duke i dhënë madje mundësinë Teutës të kalonte për një moment në avantazh por vetëm për pak kohë sepse vendasit përmbysën gjithçka dhe në fund fituan 64 me 60 duke hedhur kështu hapin e parë drejt titullit kampion. Vetë trajneri Gjeçaj është shprehur pas ndeshjes se i priste të tilla emocione sepse finalet e para gjithnjë kështu janë. Finalja e dytë në mes këtyre dy ekipeve do të luhet ditën e mërkurë në Durrës dhe objektivi i shkodranëve sigurisht që nuk ndryshon, për të fituar edhe atje në mënyrë që kështu të shkojë drejt titullit të tretë kampion rradhazi.
© shkodrasport.com