Dominimi i çiklistëve të Vllaznisë dhe Apolonisë është shfaqur sërish edhe sot, këtë herë në etapën e dytë dhe të fundit të kupës “Agim Tafili”. Jo më kot, kupat e kadetëve dhe të juniorëve i ka marrë ekipi shkodran, ndërsa atë të më të rritueve ai fierak. Gara e sotme, edhe për vetë terrenin malor, ka dhuruar jo pak surpriza. Çiklistët kadetë dhe juniorë janë nisur nga Shkodër në drejtim të Pukës por duke u kthyer në Qafë Çela dhe për të marrë sërish rrugën për në Shkodër duke përshkruar në këtë mënyrë një distancë prej 70 km ndërsa të rriturit kanë shkuar deri në Pukë dhe kthim me një distancë prej 95 km.
Tek kadetët dhe juniorët, gara ka qenë më e bukur. Sapo kanë filluar maloret, dy çiklistë të Vllaznisë, Gjergj Zefi dhe Mario Nika, janë shkëputur nga grupi dhe ndonëse u duk një shkëputje momentale, në fakt nuk ka rezultuar e tillë. Ata janë ngjitur të vetëm dhe po ashtu edhe kanë nisur kthimin. Por në zbritje, ka qenë 15 vjeçari Gjergj Zefi që është shkëputur dhe ka mbërritur i pari në Shkodër, i shkëputur nga të tjerët. Pas tij me një diferencë rreth 2 minutash e gjysësm ka mbërritur Mario Nika ndërsa pas tyre kanë mbërritur tre shkodranët e tjerë të Vllaznisë Bruno Kola, Kledison Cani dhe Sokol Murrana. Një dominim absolut i tyre në këtë garë. Ndërkohë, në garën e të rriturve ka spikatur padiskutim Besmir Banushi që ka mbërritur i pari në finish i shkëputur nga ndjekësit e tij. Pas përfundimit të kësaj etape, Federata Shqiptare e Çiklizmit ka shpërndarë edhe kupat për fituesit e ditës së djeshme por edhe të sotme ndërkohë që në fund ka dhënë edhe kupat për ekipet më të mira ku kanë dominuar Apolonia dhe Vllaznia. Fituesi i garës së sotme Besmir Banushi pas garës është shprehur i kënaqur jo vetëm për suksesin e arritur por më së shumti që fiton një kupë me emrin e të madhit Agim Tafili. “Jam i kënaqur për suksesin e arritur në këtë garë e cila pati rivalitetin e vet. Kuptohet që është një arsye më shumë për të festuar kur sheh që kupa ka emrin e të madhit Agim Tafili të cilin kam patur fatin ta njoh edhe personalisht”- është shprehur ai. Ndërkohë trajneri i Vllaznisë Leonat Kola ka thënë: “Suksesi që arritëm në këtë kupë nuk është rastësi por frut i punës që kemi bërë. Sot treguam që Vllaznia nuk ka vetëm një Bruno Kola, ka edhe çiklistë të tjerë të talentuar dhe që premtojnë shumë për të ardhmen. Jemi të vendosur që këtë punë të bërë prej dy vitesh, ta çojmë edhe më tej për ta rikthyer sërish çiklizmin shkodran në vendin që i takon, në atë vend që e la Agim Tafili, mjeshtri i madh për të cilin u organizua kjo kupë dhe jemi të lumtur që e fituam ne”.
© shkodrasport.com
Fituesit e ditës së dytë:
Kategoria kadetë: Shkodër- Qafë Çelë- Shkodër, 70 km e gjatë
1.Gjergj Zefi (Vllaznia) 1h48’00’
2.Bruno Kola (Vllaznia) 1h52’12”
3.Sokol Murrana (Vllaznia) +1″
Kategoria juniorë: Shkodër- Qafë Çelë- Shkodër, 70 km e gjatë
1.Mario Nika (Vllaznia) 1h50’41’
2.Kledison Cani (Vllaznia) 1h52’12”
3.Mersin Dyrmishi (Partizani) +1″
kategoria seniorë: Shkodër- Pukë- Shkodër, 95 km e gjatë
1.Besmir Banushi (Apolonia) 2h37’10”
2.Altin Sufaj (Apolonia) 2h37’57”
3.Klinti Gremi (Tirana) 2h38’18”
Ekipet fituese të kupës “Agim Tafili”:
Kategoria kadetë: Vllaznia
Kategoria juniorë: Vllaznia
Kategoria seniorë: Apolonia