Skuadra e Vllaznisë, si çdo ekip tjetër i Superiores është në 10 ditët e fundit të përgatitjes para fillimit të sezonit të ri. Shkodranët si në edicionet e fundit futen në kampionat me pretendime madhore dhe me ambicie për trofe. E këtë e vërteton edhe merkato deri në këto momente e kësaj vere. Ku tek shkodranët janë afruar disa futbollistë me peshë.

Dhe zyrtarizimi i fundit i Esat Males në rradhët e kuqebluve ka shtuar akoma më tepër optimizmin tek tifozët. Ku tashmë skuadra shihet e kompletuar në çdo repart pavarësisht se ndoshta deri në momentet e fundit mund të tentohet një sulmues klasi që mund të bëjë diferencën.

Afrimi i prizrenasit tek ekipi i drejtuar nga Mirel Josa, përforcon shumë krahët e sulmit. Mala një lojtar polivalent që mund të mbulojë disa pozicione, me siguri do vendoset si lojtar i linjës së djathtë të sulmit. Kjo duke e bërë skuadrën me “krahë”. Pasi si mbështetje në atë zonë të fushë ai do ketë kapitenin Gurishta, një prej më të mirëve të kampionatit tonë.

E nëse djathtas do jenë Gurishta-Mala, në majtë do jetë një tjetër dyshe plot kualitet si Hakaj dhe Latifi. Mbrojtësi shkodran dhe futbollisti nga Prishtina do jenë së bashku për të dytin vit rradhazi tek Vllaznia, ku edhe sezonin e kaluar dhuruan performanca shumë pozitive.

Nga e majta në të djathtë, Vllaznia duhet të nisë “fluturimin” që në javën e parë të kampionatit për të arritur tek objektivi madhor në fundin e tij.

Endri ÇINARI