Vllaznia është duke vijuar përgatitjet intensive për ndeshjen ndaj Dinamos. Trajneri Qatip Osmani po mundohet ta përgatisë skuadrën edhe në varësi të kundërshtarit që do të kenë përballë. Kështu, ndaj bluve, kuqeblutë do të jenë të kënaqur vetëm me një fitore, duke qenë në presion në këtë mënyrë i gjithë kampi kuqeblu për të marrë një trepikësh.

Këtë javë, Vllaznia do të luajë ndaj Dinamos, kundërshtar që në Shkodër e kanë studiuar mirë dhe këto ditë të fundit po shfrytëzohen ende për të gjetur sa më shumë pika të dobëta të bluve.

Trajneri Osmani ka kërkuar që çdo mundësi që do të kenë të shfrytëzohet në maksimum, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të dalin me një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje e vështirë.

Nga ana tjetër, shpresohet që ekipi të jetë sa më i plotë, pasi nuk ka futbollistë të dënuar për arsye kartonësh, në një kohë që presin edhe të rikuperojnë ndonjë nga futbollistët e dëmtuar.

Aktualisht, Vllaznia është në mesin e tabelës dhe i është larguar përkohësisht fundit të klasifikimit, por gjithsesi mjafton një rezultat negativ për të zbritur sërish në zonën e rënies. Për këtë arsye, kërkohet përqëndrim maksimal në çdo përballje./SHKODRA-SPORT.COM/