Kristjan Vulaj është zyrtarisht i Vl laznisë. Ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, dje klubi shkodran firmosi me sulmuesin shqiptar nga Mali i Zi, duke bërë një goditje të rëndësishme në merkaton e verës.

Vulaj është një fantazist tipik, që te Vllaznia zëvendëson brazilianin Viktor da Silva. Por, në ndryshim nga ky i fundit, lojtari nga Tuzi ka karakteristika edhe më të mira.

Vulaj mund të luajë në të gjitha pozicionet e repartit ofensiv dhe nisur nga e kaluara te Deçiçi i Tuzit, ai më mirë shfaqet në rolin e një sulmuesi të dytë. Gjithashtu, 24-vjeçari luan në të dy krahët e sulmit, por mund të bëjë edhe qendërsulmuesin në rast se trajneri Mirel Josa nuk do të ketë alternativa të tjera.

“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojnë akordin me futbollistin Kristjan Vulaj. Mesfushori me tipare sulmuese ka firmosur për tri vitet e ardhshme me klubin tonë. Vulaj ka lindur në Tuz të Malit të Zi dhe, përveçse me Deçiçin, ka luajtur edhe me ekipin e Petrovacit në Superligën malazeze. Megjithatë, kulmin e karrierës e ka me Deçiçin, me të cilin arriti të kapte edhe kombëtaren e vendit fqinj”, citohej dje në njoftimin e klubit shkodran.

Ndërkohë, gazeta zbulon se sulmuesi nuk u bind vetëm nga kontrata afatgjatë që i ofroi presidenti Alban Xhaferi, por edhe për faktin se nga Tuzi në Shkodër janë vetëm 50 kilometra, si dhe oferta që i bëri Vllaznia nuk kishte diferencë të madhe nga klubet e tjera. Vulaj do të marrë 5 mijë euro në muaj dhe mësohet se të njëjtën shifër ishte e gatshme t’i jepte edhe Egnatia, që gjithashtu e kontaktoi.