Vllaznia edhe ditën e sotme ka vijuar me dy seanca stërvitore. Trajneri Josa dhe stafi teknik duket se po japin përgatitjen e duhur fizike, përpara fazës dy javore në Austri. Me ekipin kuqeblu për herë të parë në seancën e pasdites zbriti në fushë edhe Kristijan Vulaj. Ish-mesfushori i Deçiçit u prit me interes edhe nga tifozët shkodranë.

Por skuadra vijon të vuajë mungesën e disa futbollistëve të rëndësishëm në stërvitje. Kështu Liridon Latifi nuk po kalon një gjendje të mirë shëndetësore, duke shtuar edhe këtu lodhjen që ka marrë këtë periudhë nuk ishte pjesë e stërvitjes ditën e sotme. Po ashtu edhe Ardit Hoxhaj duket se i ka muskujt e rënduar dhe ka qenë pushim sot.

Fjoart Jonuzi që dje zhvilloi një stërvitje individuale, sot nuk është parë fare në fushë. Për kuksianin stafi mjekësor ka vendosur pushim, në mënyrë që të mos e komplikojë gjendjen e tij. Gjithashtu edhe Kaina është një tjetër mungesë për shkak të problemeve fizike në ditët e fundit.

Disa nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës po vuajnë nga mbingarkesa në këtë periudhë. Patjetër këto situata të njohura kur futbollistët vijnë nga pushimet. Dhe tek Vllaznia po kujdesen në mënyrën më profesionale të mundshme që këto shqetësime të mos kthehen në dëmtime.
Endri ÇINARI