Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, në emisionin “Skaner” në MCN TV, deklaroi se bardheblutë kanë ende nevojë për përforcime në ekip.

Shehi deklaroi se drejtuesit kanë bërë një punë intensive, por është e vështirë për të marrë lojtarët e duhur, pasi sipas tij, ka pasur edhe futbollistë që kanë refuzuar kalimin te kampionët e Shqipërisë.

Jemi në gjendje të mirë, por ende jo në maksimumin tonë. Ne jemi të vetëdijshëm, që përballë Champions League, nuk mund të largojmë lojtarët më të rëndësishëm. Shpresojmë të shkojmë sa më larg, por më pas nuk e dimë si do shkojnë ngjarjet, duke parë interesimet e shumta për lojtarët. Megjithatë të gjithë tashmë janë të fokusuar te skuadra.

Nuk jemi të plotë. Na nevojiten përforcime. Na duhen 2-3 lojtarë, megjithatë ka qenë periudhë e vështirë, për të gjetur lojtarët e duhur. Nuk duam të marrim lojtarë që të nxitohemi dhe pastaj t’i biem kokës. Jemi pak vonë, por puna ka qenë intensive nga drejtuesit.

Ka pasur raste, kur edhe lojtarët na kanë kthyer përgjigje negative, apo edhe na kanë kërkuar kohë. Nuk jemi të sigurt për të marrë atë që kemi kërkuar. Duam ta përforcojmë skuadrën, por të shikojmë, sepse nuk është e lehtë për të gjetur lojtarët e duhur.