Dan Ignat, rumuni që erdhi me bujë verën e shkuar në radhët e Vllaznisë nuk është kthyer më nga shteti i tij ku shkoi për festat e funvitit. Në Shkodër e prisnin të gjithë, madje edhe trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Hasan Lika, e ka përmendur shpesh edhe në daljet e veta në media se e ka në plane.

Mirëpo, duket se rumuni nuk ka ndërmend të kthehet dhe po i zgjat më shumë nga leja pushimet dimërore. Në Shkodër nuk kanë ndërmend që ta lënë të lirë, madje drejtuesit e Vllaznisë kanë përmendur edhe korrektesën karshi rumunit.

Në të tilla kushte, ata nuk kanë ndërmend që të lejojnë të luajë diku tjetër pa dëmshpërblyer klubin, ose në rast të kundërt duhet që të rikthehet në Shkodër.

Nga Vllaznia deri më tani nuk ka pasur largime, me perjashtim te 2 futbollistëve nga të rinjtë dhe stoli që nuk kanë pasur hapësira në skuadrën e Likës në pjesën e parë të sezonit. Klubi mendon që ata të fitojnë më shumë eksperiencë duke luajtur në Kategorinë e Parë me koplikasit.